9 Janar

0 komente

IFC shet aksionet në Antea Cement, BERZH vijon “daljen” nga Union Bank

Autor Ersuin Shehu

9 Janar, 2020


Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) ka shitur aksionet e veta në prodhuesin shqiptar të çimentos, Antea Cement. 20% e aksioneve që IFC zotëronte në kompani i janë shitur ortakut tjetër, Alvacim Limited, për 13.3 milionë euro. Tashmë, shoqëria e regjistruar në Qipro do të jetë 100% pronare e kapitalit aksioner të Antea Cement.

Antea Cement është një prodhuesit më të mëdhenj të çimentos në Shqipëri. Për vitin 2018, kompania realizoi një xhiro në vlerën e 5.8 miliardë lekësh, nga e cila afërsisht një e treta erdhi nga eksportet e çimentos jashtë vendit.

Në vitin 2015, edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kishte shitur kuotat e veta, prej 20% të aksioneve, tek Alvacim Limited. Kontrolluesi fundor i Alvacim Limited dhe Antea Cement është kompania greke Titan Cement.

IFC dhe BERZH u bënë aksionerë të Antea Cement në vitin 2008, duke financuar rritjen e kapitalit të shoqërisë me 12.6 milionë euro secila, kundrejt përfitimit të 20% të aksioneve.

Bankat e zhvillimit janë në një fazë të tërheqjes nga pjesëmarrja në ndërmarrjet shqiptare, çka është pjesë normale e ciklit të tyre të investimit në kapitalin e shoqërive private.

Që nga viti i kaluar, edhe BERZH nisi daljen graduale nga struktura aksionere e Union Bank, duke ia shitur kuotat e veta aksionerit kontrollues, Unioni Financiar Tiranë. Në muajt qershor dhe dhjetor 2019, BERZH shiti në dy etapa 3.36% të aksioneve në Union Bank, për rreth 1.2 milionë euro.

Pjesa e mbetur e aksioneve prej 6.74% pritet të shiten gjatë këtij viti. BERZH hyri në strukturën aksionere të Union Bank në viti 2008, kur bleu 12.5% të aksioneve për tre milionë euro. Rishitja e aksioneve te Unioni Financiar i Tiranës pritet të bëhet për një shifër totale prej rreth 3.6 milionë eurosh.

Union Bank u themelua në vitin 2005 dhe është banka e dytë më e madhe me kapital shqiptar. Në fund të shtatorit 2019, Union Bank zotëronte 4.3% të tregut bankar, për një vlerë totale aktivesh prej 63 miliardë lekësh ose rreth 515 milionë eurosh.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes