Irfan Hysebelliu do të bëhet aksioner kryesor te Birra Tirana. Ai pritet të blejë 34% të aksioneve të zotëruara në këtë shoqëri nga biznesmeni Alban Xhaferri. Këtë javë, shoqëria Hysenbelliu ka mbyllur blerjen e 19.48% të aksioneve të AL & GI, (kompani e Alban Xhaferrit), për 1.8 milionë euro.
Në vijim, pritet që Hysebelliu të blejë edhe 14.6% të aksioneve që Alban Xhaferri i zotëron direkt te Birra Tirana, për një shumë totale që pritet të arrijë në 4 milionë euro, për gjithsej 34% të aksioneve. E gjithë shuma do të financohet me kredi nga banka e grupit Balfin, Tirana Bank.
Për Irfan Hysebelliun është një rikthim te Birra Tirana, kompani ku ishte aksioner deri në vitin 2011. Në atë vit, Hysenbelliu i shiti aksionet e tij te Luan Bregasi, me qëllim për ta përqendruar tërësisht investimin e tij te Birra Korça, kompani që e zotëron që prej vitit 2004.
Birra Tirana është një markë që daton në vitin 1960, ku nisi prodhimi i birrës në kombinatin ushhqimor “Ali Kelmendi”, në Tiranë. Ndërmarrja u privatizua në vitin 2001 nga një grup biznesmenësh shqiptarë.
Për vitin 2018, Birra Tirana raportoi të ardhura në shumën e 739 milionë lekëve ose rreth 6.1 milionë eurove. Ndërkohë, rezultati financiar i shoqërisë rezultoi me humbje në vlerën e 57 milionë lekëve ose rreth 500 mijë eurove.
Irfan Hysenbelliu në dekadën e fundit është bërë një ndër emrat më të rëndësishëm të biznesit në Shqipëri. Përveç Birrës Korça, ai ka aktivitet në sektorin e ndërtimit, turizmit, medias dhe arsimit privat.
Ai njihet si një kredimarrës serial në sistemin bankar shqiptar, ku shumicën e investimeve i ka kryer pikërisht me hua. Blerjen e aksioneve në grupin mediatik News 24-Gazeta Shqiptare e financoi përmes një kredie ne Credins Bank, investimet në Birra Korça përmes kredive nga Credins Bank dhe Alpha Bank, etj.
As në këtë rast, Hysenbelliu nuk do ta përgënjeshtrojë emrin e tij si “huamarrës i papepur”: blerjen e aksioneve në Birra Tirana do ta financojë tërësisht me një kredi prej 4 milionë eurosh nga Tirana Bank.