Irfan Hysenbelliu do të hapë një televizion të dytë. Pas News 24, ai pritet të dalë në tregun mediatik me një markë të dytë, të quajtur Panorama TV. Në fund të muajit tetor, Hysenbelliu ka blerë televizionin UTV Education nga biznesmeni Astrit Veliaj, pronar i Albanian University (ish-UFO University). UTV Educational pati funksionuar si televizion mbështetës i aktivitetit të universitetit. Tashmë që epoka e lulëzimit të universiteteve private duket se ka perënduar, Astrit Veliaj ka vendosur ta shesë televizionin.
Irfan Hysenbelliu hyri në tregun mediatik në vitin 2011, kur së bashku me ish-drejtorin e Credins Bank, Artan Santo blenë grupin mediatik Edisud (aktualisht Focus Group), që përfshinte televizionin Neës 24, Gazetën Shqiptare dhe portalin Balkan Web. Në vitin 2017, Hysebelliu bleu edhe aksionet që i takonin familjes së Artan Santos.
Hysenbelliu njihet si një sipërmarrës që ka përdorur masivisht kreditë bankare për të mbështetur zgjerimin e bizneseve të tij. Blerja e grupit mediatik Focus Group u financua me kredi nga Credins Bank, kredi që në vitin 2017 preknin shumën totale të pothuajse 9 milionë eurove. Për garantimin e këtyre kredive, ai ka lënë peng te Credins Bank aksionet grupit mediatik Focus Media Group dhe dy filialeve Focus Media News (News 24) dhe Focus Press (Gazeta Shqiptare).
Në vitet e fundit, Hysenbelliu është zgjeruar paralelisht edhe në tregun e prodhimit të birrës, ku përveç Birrës Korça ka blerë edhe paketën kontrolluese të aksioneve në Birra Tirana, i financuar nëpërmjet kredive të siguruara nga Tirana Bank.
Hysebelliu njihet për lidhjet e afërta me Ilir Metën dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Disa prej drejtuesve të kompanive të tij janë ish-politikanë të lidhur me Ilir Metën dhe LSI-në.
News 24 administrohet nga Mustafa Muço, ish-ministër në fillim të viteve 2000 në qeverinë e drejtiuar nga Ilir Meta, ndërsa Panorama Tv drejtohet nga Ardit Çela, ish eksponent i LSI dhe kandidat për deputet në qarkun e beratit në zgjedhjet që u zhvilluan këtë vit.