Irfan Hysenbelliu ka marrë kontrollin e plotë të Birra Tirana, përmes blerjes së më shumë se gjysmës së aksioneve. Në fillim të këtij viti, kompania e tij, Hysenbelliu bleu 34% të aksioneve që zotëroheshin nga shoqëria AL & GI e biznesmenit Alban Xhaferri, për rreth 4 milionë euro.
Pak ditë më parë, ai ka arritur marrëveshjen për të blerë edhe 19.5% të kuotave të shoqërisë nga aksioneri tjetër, Adrian Doçi, për rreth 1.7 milionë euro. Pas kësaj blerjeje, Irfan Hysenbelliu do të zotërojë pothuajse 54% të aksioneve të Birra Tirana, duke u bërë edhe aksioneri kontrollues i shoqërisë.
Të gjitha blerjet e mësipërme Hysenbelliu i ka mbyllur me metodën e tij të stërprovuar: kredinë bankare. Është Tirana Bank që ka marrë përsipër të financojë “ngjitjen” e Hysenbelliut drejt kontrollit të Birra Tirana. Me kredinë e fundit prej 1.7 milionë eurosh, huaja totale e dhënë nga banka e Samir Manes për Irfan Hysenbelliun arrin në 5.7 milionë euro.
Për vitin 2018, Birra Tirana raportoi të ardhura në shumën e 739 milionë lekëve ose rreth 6.1 milionë eurove. Ndërkohë, rezultati financiar i shoqërisë rezultoi me humbje në vlerën e 57 milionë lekëve ose rreth 500 mijë eurove.
Hysenbelliu është njëkohësisht edhe pronar i prodhuesit tjetër të birrës vendase, Birra Korça, përmes shoqërisë së tij Egnatia Group. Hysenbelliu zotëron gjithashtu biznese në fushën e ndërtimit, turizmit, medias, tregtisë dhe arsimit privat.