Grupi hungarez OTP ka vendosur të konfirmojë në krye të bankës së saj në Shqipëri drejtorin aktual, Bledar Shella. Me një vendim të datës 9 dhjetor, Këshilli Drejtues vendosi ta zgjasë mandatin e drejtorit aktual deri në fund të vitit 2022.
Ndryshe nga praktika e zakonshme e grupeve të huaja bankare, hungarezët kanë zgjedhur t’ia besojnë që në fillim drejtimin një menaxheri lokal dhe të ndjekin rrugën e vazhdimësisë. Deri tani, hungarezët kanë sjellë vetëm një njeri të grupit në Bordin Menaxhues, drejtorin e Financës dhe Menaxhimit të Riskut, Gabor Jandacsik.
Vendimi për t’iu besuar CEO-s dhe menaxherëve ekzistues motivohet me ecurinë e mirë të bankës në vitet e fundit. Ndryshe nga shumica e bankave të tjera me kapital të huaj, ish-banka Societe Generale vazhdoi rritjen në vitet e krizës, duke fituar pjesë tregu dhe duke arritur përgjithësisht rezultate fitimprurëse.
Bledar Shella e mori drejtimin e bankës në dhjetor 2018, me një mandat tranzitor njëvjeçar, deri në mbylljen e procedurave të kalimit të pronësisë nga Societe Generale te OTP Nyrt, si edhe për t’iu dhënë kohë hungarezëve të njihnin tregun dhe të shtjellonin strategjitë e tyre për bankën shqiptare.
Bledar Shella iu bashkua bankës në vitin 2008, në pozicionin e drejtorit të Menaxhimit të Riskut. Prej vitit 2015, Shella mbante pozicionin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, përgjegjës për segmentin retail, detyrë që e mori pasi paraardhësi, Gent Sejko, u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Rezultatet e mira të OTP Bank Albania edhe këtë vit duket se i kanë bindur hungarezët që të vazhdojnë projektin e tyre me atë që mendohej se do të ishte CEO i përkohshëm.
Për 9-mujorin e këtij viti, Banka OTP Albania arriti një fitim rekord prej 1.2 miliardë lekësh dhe një kthim nga kapitali në nivelin prej 22.5%. OTP është aktualisht banka e pestë më e madhe në Shqipëri, me 6.1% të tregut sipas totalit të aktiveve, ndërkohë që është banka e katërt më e madhe për nga vlera e portofolit të kredisë, me 9.5% të tregut.