Kredia e sektorit bankar për ndërmarrjet shtetërore po rritet sërish gjatë këtij viti. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, vlera e këtyre huave arriti në 22.3 miliardë lekë ose rreth 181 milionë euro në fund të muajit shtator. Me bazë vjetore, kredia për korporatat publike është rritur me 14%.
Prej më shumë se një dekade, financimi i ndërmarrjeve publike është dominuar nga huatë dhënë për blerje të energjisë elektrike nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), në periudha të rënies drastike të prodhimit vendas.
Megjithatë, në mesin e vitit të kaluar ky portofol u reduktua ndjeshëm. Një pjesë e mirë e kredive u rifinancuan pas disbursimit të këstit të parë të huasë prej 218 milionë eurosh, që KESH ka marrë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo bëri që në mesin e vitit të kaluar portofoli i kredisë për ndërmarrjet shtetërore të ulej ndjeshëm në rreth 19 miliardë lekë, nga 32 miliardë lekë që kishte qenë në fund të majit 2018.
Aktualisht, mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, borxhi i garantuar për KESH në banka ka vlerën e 15 miliardë lekëve. Një pjesë e mirë e kredive që maturoheshin vitin e kaluar janë riskedualuar dhe shlyerja e tyre është shtyrë për në vitin 2020.
Me përjashtim të kredive të riskeduluara në bankat Raiffeisen, Intesa Sanpaolo dhe OTP Bank Albania, nga shifrat e qeverisë nuk rezultojnë huamarrje të reja të KESH në banka gjatë këtij viti.
Rrjedhimisht, shtesa e huasë për ndërmarrjet publike, me mbi 20 milionë euro gjatë këtij viti, ka shkuar në sektorë të tjerë. Një prej kredive më të rëndësishme është marrë nga shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, në pronësi të Bashkisë së kryeqytetit. UKT ka rinovuar me shtesë një overdraft në Bankën Kombëtare Tregtare, duke e çuar shumën e kredisë në 850 milionë lekë.