13 Prill

0 komente

Hollanda kryesoi investimet e huaja për 2019. Bie Zvicra, rritet Italia.

Autor Ersuin Shehu

13 Prill, 2020


Hollanda ishte investitori më i madh i huaj në Shqipëri për vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e investimeve hollandeze arriti në 235 milionë euro, në rritje me 39% krahasuar me vitin e kaluar. Investimet hollandeze përbënin rreth 22% të fluksit total të investimeve të huaja për vitin e kaluar.

Besohet se pjesa më e madhe e investimeve hollandeze lidhen me kompaninë Devoll Hydropower. Ndonëse pronari final është kompania norvegjeze Statkraft, ajo e kontrollon Devoll Hydropower përmes një filiali të regjistruar në Hollandë.

Pasi përfundoi hidrocentralin e Banjës, kompania në fjalë është në fazën e testimit edhe të hidorcentralit të Moglicës, që pritet të nisë prodhimin së shpejti.

Në fakt, Hollanda është një prej qendrave të regjistrimit të kompanive offshore në Europë. Edhe kompani të tjera të mëdha, si Vodafone Albania apo American Hospital kontrollohen nga aksionerë të regjistruar në Hollandë.

Investitori i dytë më i madh në Shqipëri edhe për vitin e kaluar ishte Zvicra, me 209 milionë euro. Por, vlera e investimeve zvicerane pësoi një rënie me 41% krahasuar me vitin 2018. Investimet zvicerane kanë qenë të përqendruara kryesisht te gazjellësi TAP, që vitin e kaluar i përfundoi pothuajse tërësisht punimet në territorin shqiptar.

Investitori i tretë më i madh i huaj vitin e kaluar ishte Italia, me 120 milionë euro, në rritje me 125% krahasuar me vitin 2018. Investimet italiane nuk përfshijnë shumë ndërmarrje të mëdha strategjike, por kryesisht bizneseve të vogla dhe të mesme, të përqendruara sidomos në ofrimin e shërbimeve. Një ndër investimet më të zakonshme italiane ngelen kompanitë e shërbimeve call center.

Të tjerë investitorë të rëndësishëm për vitin e kaluar ishin Austria me 74 milionë euro, Franca me 66 milionë euro dhe Turqia me 50 milionë euro.

Në total ekonomia shqiptare për vitin 2019 thithi rreth 1 miliardë e 79 milionë euro investime të huaja. Megjithatë, pothuajse 40% e tyre nuk ishin investime të reja, por fitime të riinvestuara nga ndërmarrjet ekzistuese.

Investimet e huaja për vitin 2019 (milionë euro)

Hollanda235
Zvicra209
Italia120
Austria74
Franca66
Turqia50
Të tjera325
Totali1079

Burimi: Banka e Shqipërisë
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes