9 Prill

0 komente

Hiqen komisionet për transfertat bankare në lekë

Autor Ersuin Shehu

9 Prill, 2020


Banka e Shqipërisë ka hequr të gjitha komisionet për transfertat bankare në lekë brenda vendit përmes kanaleve dixhitale. Sipas njoftimit zyrtar të bankës qendrore, ky vendim ka për qëllim mbështetjen e klientëve të bankave për vijimin e kryerjes së pagesave të tyre në kushtet e kufizimit të lëvizjes dhe gjithashtu mimimizimit të rreziqeve nga grumbullimi i popullatës në degët e bankave.

Në veçanti, vendimi synon të bëjë më tërheqës përdorimin e shërbimeve të internet dhe mobile banking, nëpërmjet eliminimit të kostove të këtij shërbimi.

Transfertat ndërbankare në lekë në Shqipëri kanalizohen përmes dy sistemeve qendrore të pagesave të administruara nga banka e Shqipërisë, AECH dhe AIPS. Me vendimin e të mërkurës të Këshillit Mbikëqyrës, banka qendrore ka hequr të gjitha komisionet që paguajnë bankat tregtare për kryerjen e pagesave përmes këtyre sistemeve.

Heqja e kësaj kostoje i hap rrugë edhe eliminimit të plotë të kostove për klientët që kryejnë pagesa përmes sistemit bankar. Vendimi në fjalë do të hyjë në fuqi qysh ditën e premte, 10 prill.

Gjithashtu, siç kishim paralajmëruar në fillim të javës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat.

Në bazë të vendimit, shpërndarja e dividendëve pezullohet deri në fund të muajit qershor 2020, përfshi këtu fitimin e mbartur nga periudhat e mëparshme, fitimin e realizuar në vitin 2019 si dhe të fitimit që do të realizohet përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020.

Kjo masë synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur huadhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi gjithashtu të ulë me 50% pagesën e stafit drejtues të bankës Qendrore për kohëzgjatjen e epidemisë së COVID 19. Vendimi prek administratorët e bankës, drejtorët e departamenteve dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes