10 Prill

0 komente

Heqja e komisioneve për transfertat kursen miliona euro dhe nxit pagesat elektronike

Autor Ersuin Shehu

10 Prill, 2020


Sot hyn në fuqi rregullorja e Bankës së Shqipërisë që heq të gjitha komisionet për transfertat bankare brenda vendit që do të kryhen përmes internetit ose telefonit celular. Kjo rregullore pritet të lehtësojë ndjeshëm kostot e qytetarëve dhe bizneseve, por gjithashtu t’i japë një shtysë të fortë përdorimit të pagesave elektronike nga shqiptarët.

Mbështetur në rregulloren e mëparshme, komisionet e transfertave bankare në lekë kishin vlera tavan deri në 500 lekë për transfertat e vogla deri në 1.5 milionë lekë, ndërsa për pagesat mbi 1.5 milionë lekë komisionet mund të shkojnë deri në 1500 lekë.

Këto limite tashmë do të ekzistojnë vetëm për transfertat në letër, që kryhen në bankë, ndërsa për të gjitha pagesat në distancë komisionet do të jenë 0.

Sipas informacionit zyrtar për komisionet bankare që raporton Banka e Shqipërisë, mesatarisht, komisioni mesatar i aplikuar nga bankat tregtare ishte rreth 400 lekë për transfertat me vlerë të vogël dhe rreth 1200 lekë për transfertat me vlerë të madhe.

Kursimet nga eliminimi i plotë i këtyre komisioneve për transfertat jo-letër mund të llogariten në rendin e miliona eurove, sepse me rregulloren e re askush nuk do të ketë interes të shkojë dhe t’i bëjë transfertat fizikisht në bankë.

Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, ky në fakt ishte një vendim i parashikuar qysh më herët, për të nxitur rritjen e pagesave elektronike, por miratimi i tij u përshpejtua, për të lehtësuar pagesat e qytetarëve gjatë periudhës së kufizimeve për shkak të COVID 19.

Statistikat zyrtare tregojnë se numri i llogarive bankare të lidhura me internetin në fund të vitit të kaluar arriti në afërsisht 442 mijë. Përdorimi i internet banking është rritur për të njëmbëdhjetin vit radhazi. Numri i transaksioneve bankare përmes internetit vitin e kaluar ishte më shumë se 2.6 milionë.

Në muajin e fundit, vala e kufizimeve besohet se e ka rritur ndjeshëm numrin e përdoruesve dhe volumin e pagesave. Heqja e komisioneve krijon hapësira që e-banking të përdoret pa kosto jo vetëm për pagesat e faturave utilitare dhe për transfertat brenda bankës, por edhe për transferta drejt bankave të tjera.

Kjo do të kursejë kohë dhe para për publikun, por edhe të reduktojë fluksin dhe radhët e krijuara pranë degëve të bankave.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes