Hapja graduale e ekonomisë ka rritur këmbimet tregtare të vendit. Megjithëse volume e tregtisë së jashtme ngelen ndjeshëm më të ulët krahasuar me vitin e kaluar, për majin eksportet dhe importet u rritën krahasuar me prillin. Rimëkëmbja e tregtisë ka sjellë menjëherë edhe një rritje të deficitit tregtar të vendit.
Instat raporton se deficiti për majin arriti në 23 miliardë lekë, në rritje me 8% krahasuar me prillin. Për pesëmujorin, deficiti tregtar i Shqipërisë ka arritur në 137 miliardë lekë, rreth 20 miliardë lekë më pak krahasuar me pesëmujorin e vitit të kaluar.
Një rënie e përgjithshme e volumit tregtar zakonisht sjell rënie të deficitit për Shqipërinë, pikërisht për shkak të epërsisë së ndjeshme në volume të importeve kundrejt eksporteve.
Sipas Instat, vlera e eksporteve arriti në 21 miliardë lekë, me rritje prej pothuajse 44% krahasuar me muajin prill. Megjithatë, për pesëmujorin e parë të vitit eksportet ngelen në rënie të ndjeshme, me 19% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Me përjashtim të produkteve ushqimore, eksportet janë në rënie për të gjitha grupmallrat. Grupi “materiale ndërtimi dhe metale” ka pësuar rënie me 32%, grupi “tekstile dhe këpucë” me 25% dhe “minerale, lëndë djegëse, energji” me 21%.
Grupi i mineraleve ka pësuar një rënie veçanërisht të fortë në muajin maj, me një përgjysmim të eksporteve krahasuar me një vit më parë. Bllokimi i industrisë së nxjerrjes së naftës në muajt e parë e të epidemisë është relfektuar në rënie të prodhimit dhe të eksporteve.
Importet u rritën me 23% krahasuar me prillin, duke sinjalizuar një kthim drejt normalitetit të kërkesës së brendshme. Për pesëmujorin importet ngelen në rënie, me 17% më pak krahasuar me vitin e kaluar, çka edhe ka përcaktuar uljen e deficitit tregtar të vendit për këtë periudhë.