Rihapja e ekonomisë në muajin qershor ka rritur aktivitetin e tregtisë së jashtme. Të dhënat e Instat tregojnë se eksportet arritën vlerën e 23 miliardë lekëve, në rritje me 7% krahasuar me muajin maj. Megjithatë, siç ishte e pritshme, eksportet ende janë larg niveleve të vitit të kaluar. Për qershorin, rënia me bazë vjetore krahasimi ishte afërsisht 10%, ndërsa për gjithë 6-mujorin e parë të vitit rënia e eksporteve arriti në kufijtë e 18%.
Kriza e pandemisë ka goditur më rëndë ato grupmallra që mbajnë peshën kryesore në eksportet shqiptare, si produktet e sektorit fason, lëndët e para dhe materialet e ndërtimit. Grupi “tekstile dhe këpucë” ka pësuar rënie me 23%, “minerale lëndë djegëse, energji” me 22% dhe “materiale ndërtimi dhe metale” me 28%.
Megjithatë, edhe në kushtet e krizës sektorë të veçantë kanë arritur të zgjerojnë eksportet krahasuar me vitin e kaluar. Eksportet e produkteve ushqimore dhe të mallrave kapitale regjistrojnë një rritje të lehtë krahasuare me gjysmën e parë të vitit 2019.
Importet shënuan një rritje edhe me të lartë gjatë qershorit, me 16% më shumë në raport me majin. Ato madje i janë afruar shumë niveleve të vitit të kaluar, me vetëm 2% më pak krahasuar me qershorin 2019. Për të gjithë 6-mujorin e parë, importet ngelen në rënie, me pothuajse 15%. Edhe në importe, mallrat më pak të ndjeshme ndaj krizës kanë qenë ato ushqimore, të vetmet ku është shënuar një rritje e importeve krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Rimëkëmbja më e fortë e importeve krahasuar me eksportet e ka rritur ndjeshëm deficitin tregtar të vendit gjatë muajit qershor, me 24% më shumë krahasuar me majin. Megjithatë, për 6-mujorin e parë 2020, deficiti ngelet më i ulët, me 12% më pak.