Në muajt e fundit, tregu financiar po tërheq një interes në rritje mes sipërmarrësve. Në mbledhjen e fundit, të datës 27 shkurt, Bordi Drejtues licencoi edhe shoqërinë Brokas Securities, për ushtrimin e veprimtarisë së brokerimit në tituj.
Kompania në fjalë i takon familjes Kastrati, që në fund të vitit të kaluar mori licencën edhe për fondin e pensioneve Albsig Pension dhe atë të investimeve, Albsig Standard.
Licencimi edhe i shoqërisë së brokerimit, Brokas Securities, dëshmon se një nga grupet më të rëndësishme të biznesit në Shqipëri po shfaq interes të lartë për instrumentet e tregut financiar.
Në të njëjtën mbledhje, Bordi i AMF-së licencoi edhe shoqërinë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive Abi Invest, shoqëri e kontrolluar nga Banka Amerikane e Investimeve. Ky licencim i paraprin ngritjes edhe të fondit të investimeve që Abi Invest do të administrojë.
Shqipëria prej dy vitesh ka një bursë funksionale titujsh, çka përbën themelin e një tregu të mirëfilltë kapitali në vend. Tashmë, Bursa ALSE është plotësisht e gatshme për të mundësuar listimin e kompanive private dhe tregtimin e titujve të tyre.
Shtimi i institucioneve financiare të lidhura me bursën është një sinjal se tregu mund të jetë maturuar për një hap të tillë.
Në kushtet kur epoka e normave të ulëta të interesit duket e destinuar të zgjasë edhe për disa vite, publiku i gjerë për forma të tjera investimesh nga ato klasike.
Vetë biznesi ka nevojë për alternativa të reja financimi, madje disa kompani prej vitesh po emetojnë instrumente borxhi me ofertë private.