3 Prill

0 komente

Grupi Balfin blen TV Scan për 700 mijë euro

Autor editor

3 Prill, 2022

kryesore

Grupi i biznesit Balfin në muajin mars zyrtarizoi hyrjen edhe në tregun mediatik. Grupi në pronësinë e biznesmenit Samir Mane ka blerë televizionin Scan, media e profilizuar në informacionin ekonomik dhe financiar. Vlera e operacionit ishte rreth 700 mijë euro. Aksionerë të mëparshëm të TV Scan ishin disa biznesmenë të lidhur me Credins Bank, banka e dytë më e madhe në Shqipëri.

Në njoftimin zyrtar të Balfin, drejtorja e përgjithshme e Grupit Balfin, Edlira Muka, tha se Grupi BALFIN aspiron të ndërtojë një media që trajton çështjet ekonomike dhe të biznesit duke ofruar informacion të plotë, profesional dhe të paanshëm nga Shqipëria dhe rajoni.

“Ne do të investojmë në krijimin e një kanali mediatik profesional që mund t’i përgjigjet pritshmërive të një televizioni rajonal të dedikuar për çështjet që lidhen me biznesin,” tha ajo.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit zyrtar, Scan TV planifikon të mbulojë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, duke u bërë kanali i parë televiziv ekonomik dhe i orientuar drejt biznesit në Ballkanin Perëndimor.

Më herët, pronari i Balfin Group, Samir Mane, ka qenë i angazhuar në tregun mediatik nëpërmjet një pakice aksionesh në platformën televizive me pagesë, Digitalb.

TV Scan e ka origjinën në vitin 2001, kur nisi transmetimet me logon ATN 1. Kanali u themelua nga Agim ramaj, njeri me lidhje familjare me liderin e atëhershëm të opozitës, Sali Berisha. ATN 1 ishte një televizion i vogël në shërbim të opozitës së atëhershme. Pas marrjes së pushtetit nga Partia Demokratike, ATN 1 u riorganizua nën emrin Mediasat dhe mori me qira disa ambiente të ish-Kinostudios Shqipëria e Re.

Pas një eksperience trevjeçare pa shumë sukses, në vitin 2009 televizioni u ble nga dy prej drejtuesve të lartë të Credins Bank, që e kthyen në një televizion me profil ekonomiko-financiar. Për shkak të vështirësive financiare, në vitin 2015, Scan ndryshoi sërish aksionerë, nëpërmjet blerjes së kuotave nga disa prej aksionerëve të Credins Bank.

Së fundmi, prej më shumë se një viti, TV Scan ishte nxjerrë në shitje dhe në fund të vitit të kaluar u arrit një marrëveshje me grupin Balfin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes