Mosmarrëveshjet mes kompanive të sigurimit dhe të dëmtuarve lidhur me vlerësimin e dëmeve janë mjaft të shpeshta dhe çështjet përfundojnë në gjykata. Si pjesë e procedurës gjyqësore, është edhe përcaktimi i një eksperti të pavurur për vlerësimin e dëmit. Gjykata i përzgjedh ekspertët nga lista e ekspertëve të licencuar për këtë qëllim nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Sipas të dhënave nga AMF, numri i vlerësuesve të licencuar të dëmeve në sigurime është 69, nga të cilët rreth 60% janë vlerësues të pavarur, ndërsa të tjerët janë të punësuar pranë kompanive të sigurimit. Por, një prej ekspertëve të pavarur është ankuar pranë Autoritetit të Konkurrencës se për rreth tre vjet ka marrë vetëm dy çështje, ndërkohë që numri i këtyre çështjeve është mbi 500 në vit, vetëm në Gjykatën e Tiranës.
Kjo ankesë ka vënë në lëvizje Autoritetin e Konkurrencës, që pas një komunikimi shkresor me institucionet e lidhura, ka vënë në dukje se përzgjedhja e ekspertëve për vlerësimin e dëmeve, praktikisht, nuk ka ndonjë kriter apo kufizim dhe bëhet mbështetur në vlerësimin personal të gjykatësit. Mungesa e kritereve apo kufizimeve lidhur me përzgjedhjen e vlerësuesit të dëmeve sigurisht që mund të krijojë hapësira për subjektivizëm dhe korrupsion.
Çështjet e vlerësimit të dëmeve zakonisht përfshijnë shuma të konsiderueshme, që janë një potencial sigurimi përfitimesh për avokatët e të dëmtuarve, por shpeshehrë edhe për palët e tjera të përfshira në proces.
Kompanitë e sigurimeve shpeshherë kanë ngritur akuza se rreth dëmeve në sigurime ngrihen skema kriminale, me qëllim zhvatjen e tyre. Sipas siguruesve, ndodh që përqindja e siguruar nga avokatët ndonjëherë është edhe më e lartë se pjesë e dëmshpërblimit që i ngelet të dëmtuarit.
Në mars të këtij viti, Këshilli i Ministrave ka nxjerrë një udhëzim që parashikon se përzgjedhja e ekspertëve bëhet mbështetur në të dhënat e Regjistrit Elektronik të Ekspertëve, regjistër që e vë në dispozicion Ministria e Drejtësisë. Më tej, gjykata duhet të bëjë përzgjedhjen e ekspertëve në mënyrë të drejtë dhe transparente, duke konsideruar që çdo ekspert nuk mund të caktohet për të ofruar ekspertizën e tij më shumë se 30% të numrit të çështjeve gjyqësore për të cilat është kërkuar e njëjta lloj ekspertize brenda një viti kalendarik.
Por, duke qenë se regjistri elektronik në fjalë nuk është ngritur ende nga Ministria e Drejtësisë, atëherë në praktikë as ky udhëzim nuk zbatohet. I vetmi rekomandim që Autoriteti i Konkurrencës ka arritur të japë në këtë rast është që Ministria e Drejtësisë ta ngrejë këtë regjistër brenda 90 ditëve.
Po të kemi parasysh se numri i ekspertëve të pavarur për vlerësimin e dëmeve është vetëm 42, ngritja e një regjistri të tyre nuk duket një sfidë kaq e madhe. Sidoqoftë, Ministria e Drejtësisë ende nuk e ka ngritur një regjistër të tillë, megjithëse ministri e ka nxjerrë udhëzimin për krijimin e tij që në tetorin e vitit të kaluar.