Gjigandi i naftës dhe gazit Total do të ndryshojë emrin në TotalEnergies, ndërsa do të zhvendosë një pjesë të aktivitetit të tij drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Aksionarët votuan me shumicë dërrmuese pro lëvizjes dhe miratuan qëllimet mjedisore të kompanisë.
“Ne duam të bëhemi një lloj faktor zhvillimin e energjisë së gjelbër”, tha shefi ekzekutiv Patrick Pouyanné.
Firmat e mëdha të energjisë po vihen nën presion në rritje për t’u përshtatur në një botë me emetime më të ulëta të gazrave të dëmshëm. Një gjykatë në Hollandë urdhëroi Royal Dutch Shell të ulë emetimet e saj më shpejt sesa kishte planifikuar firma anglo-hollandeze e naftës.
Total, prodhuesi i katërt privat më i madh në botë i naftës dhe gazit, po synon të arrijë neutralitetin e karbonit deri në 2050, pjesërisht duke investuar në më shumë projekte të energjisë diellore dhe të erës.
Ndërsa disa investitorë të vegjël kundërshtuan planet e ndërmarrjes në mbledhjen e përgjithshme vjetore, duke argumentuar se nuk duhej shkuar aq larg, rezoluta u miratua me më shumë se 90% të votave.
“Firmat evropiane të energjisë kanë lëvizur më shpejt se sa homologët e tyre të SH.B.A.-së për të filluar tranzicionin larg nga lëndët djegëse fosile,” tha Mike Coffin, analist i vjetër në naftë dhe gaz në studimin financiar Carbon Tracker.
“Total është ndër firmat kryesore në këtë proces, duke u renditur krahas BP, por poshtë Eni,” tha ai. “Ata nuk i përmbushin të gjitha kërkesat e Traktatit të Klimës së Parisit, por ndodhen mbi Shell dhe sigurisht mbi kompanitë e Amerikës së Veriut.”
Në shkurt, duke njoftuar ribrandimin e planifikuar, Z. Pouyanné tha se emri i ri do të simbolizonte “angazhimin e ri të Totalit për të qenë një udhëheqës në një botë me më shumë energji dhe më pak emisione”.
Ai tha se kompania do të duhej të kalonte “një transformim të mirëfilltë” për të përmbushur objektivin e saj zero emisione të gazrave të dëmshëm deri në 2050.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë befasoi tregun e energjisë këtë muaj, me një raport që sugjeronte se prodhimi i karburantit fosil duhet ngadalësuar shumë më shpejt sesa firmat po planifikonin.
IEA tha se nuk duhet të ketë investime të reja në projektet e karburanteve fosile pas këtij viti, nëse bota do të donte të arrinte emetime neto zero të karbonit nga mesi i shekullit.
Carbon Tracker thotë se firmat globale të energjisë dhe prodhuesit shtetërorë kanë rezerva të karburanteve fosile në librat e tyre që do të duhet të lihen të pashfrytëzuara, nëse bota do të ketë ndonjë shans për të përmbushur objektivat e saj të emetimit të karbonit.
“Hedge Funds, si dhe investitorët e mëdhenj si Blackrock dhe fondet e pensioneve, po fillonin të pranonin se dështimi për të rregulluar planet në dritën e objektivave të klimës përfaqësonte një rrezik financiar për kompanitë në të cilat investonin”, tha Z. Coffin.
“Nga një perspektivë mjedisore, ne duam që këto lëndë djegëse fosile të qëndrojnë në tokë. Nga perspektiva e investimeve, ndalimi i prodhimit të tyre do të ndikonte negativisht. Ju nuk do të shihni kthimet historike që kemi parë nga nafta dhe gazi për shkak të ngadalësimit të kërkesës,” tha ai.