13 Gusht

0 komente

Garancitë sovrane sa 1.6% e PBB-së, Shqipëria me nivelin më të ulët në rajon

Autor Ersuin Shehu

13 Gusht, 2020

kryesore

Vlera e paketave të garancisë sovrane të miratuara nga qeveria shqiptare është më e ulët se mesatarja e rajonit. Vlera e përbashkët e dy skemave është 26 miliardë lekë ose afërsisht sa 1.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të parashikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në projeksionet e mesit të këtij viti.

Në raportin e fundit të Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë ofron disa të dhëna krahasuese për vlerën e paketave të garancisë sovrane. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, qeveritë kanë prezantuar paketa të garancisë sovrane mesatarisht sa rreth 2% të PBB-së, ku Serbia dhe Mali i Zi janë vendet që e kanë raportin mbi këtë mesatare, përkatësisht rreth 4.4% dhe 2.7%.

Gjithashtu, në një krahasim më të gjerë me vendet e tjera në Evropë vihet re se vende të cilat e kanë pasur si instrument dhe kanë eksperiencë të saj e kanë përdorur atë më intensivisht. Kryesisht në vendet e zhvilluara të Evropës, fondet e vëna në dispozicion nga qeveria për garanci sovrane janë rreth 12% e PBB-së, ndërsa për vendet e tjera të BE-së si Polonia ky raport është rreth 8.5%.

Shifrat dëshmojnë se mbështetje e qeverisë shqiptare për sektorin privat është shumë larg niveleve të mësipërme. Qeveria shqiptare deri më tani ka prezantuar dy paketa të përfshira në skemën e garancisë sovrane. Në paketën e parë të masave fiskale u miratua një fond garancie prej 11 miliardë lekësh, i cili do t’u akordohej bizneseve nga bankat e nivelit të dytë, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për pagat e punonjësve. Interesi i kredive do të paguhet nga qeveria, ndërsa pagesat e

principalit do të nisin pas muajit të tretë të marrjes së kredisë, me qëllim zbutjen e presioneve për likuiditet te biznesi. Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, vlerësohet se vetëm 55% e fondit të parashikuar në skemën e parë të garancisë u përdor nga bizneset.

Skema e garancisë sovrane e miratuar në kuadër të paketës së dytë të mbështetjes ka një vlerë prej 15 miliardë lekësh dhe mund të përdoret si në mbulimin e nevojave për kapital qarkullues, ashtu edhe për investime. Qeveria do të garantojë rreth 60% të kësaj shume dhe maksimumi i kredisë është parashikuar në 300 milionë lekë për biznes.

Pagesat e principalit janë programuar të shlyhen pas muajit të gjashtë nga disbursimi i kredisë. Sikurse edhe në garancinë shtetërore të parë, edhe për këtë skemë është përcaktuar një nivel interesi tavan prej 5%, ndërkohë që maturiteti i kredive është deri në 5 vite.

Ministria e Financave nuk ka publikuar shifra të përdirësuara lidhur me vlerën e kredisë të përfituar deri tani nga bizneset në kuadër të skemës së dytë. Megjithatë, ecuria e disburismeve ka qenë e ngadaltë. Fakti që qeveria shqiptare nuk mbulon të gjithë shumën e kredisë bën që një pjesë të rrezikut ta marrin përsipër vetë bankat dhe aplikimet e bizneseve janë subjekt i analizave standarde të administrimit të rrezikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes