Nga 26 miliardë lekë fonde të alokuara për skemat e garancisë në mbështetje të biznesit, në mesin e këtij viti qeveria shqiptare kishte miratuar vetëm 4 miliardë lekë. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se vetëm 15% e fondeve të garancisë janë përdorur, çka e bën relatvisht modest kontributin e qeverisë në mbështetje të rimëkëmbjes së biznesit.
Skema e parë e garancisë sovrane prej 11 miliardë lekësh, miratuar në muajin prill, kishte si qëllim garantimin e kredive për pagat e punonjësve për maksimalisht tre muaj. Pas rishikimit të skemës, qeveria mori përsipër të paguante normat e interesit të kredive.
Sipas statistikave të publikuara më herët nga qeveria ky fond u shfrytëzua afërsisht në masën 50%. Por, statistikat e Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të qershorit shuma e miratuar e garancive ishte edhe më pak, rreth 3.5 miliardë lekë.
Skema e dytë e garancisë sovrane, miratuar në muajin maj, kishte vlerën e 15 miliardë lekëve dhe synonte mbështetjen e biznesit me likuiditet për të përballuar goditjen e krizës. Kjo skemë garantonte vetëm 60% të kredisë bankare. Nga 922 milionë lekë që ishte shuma e kredisë së disbursuar sipas kësaj skeme, qeveria garanton një shumë prej 553 milionë lekësh.
Vlera e përbashkët e dy skemave të miratuara nga qeveria shqiptare është afërsisht sa 1.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, qeveritë kanë prezantuar paketa të garancisë sovrane mesatarisht sa rreth 2% të PBB-së, ku Serbia dhe Mali i Zi janë vendet që e kanë raportin mbi këtë mesatare, përkatësisht rreth 4.4% dhe 2.7%.
Në vendet e zhvilluara të Evropës, fondet e vëna në dispozicion nga qeveria për garanci sovrane janë rreth 12% e PBB-së, ndërsa për vendet e tjera të BE-së si Polonia ky raport është rreth 8.5%.