Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy javë nga miratimi i fondit të dytë të garancisë sovrane për bizneset, procesi ngelet i bllokuar dhe marrëveshja me bankat tregtare për përdorimin e fondit nuk është nënshkruar ende.
Burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se nyja kryesore e mosmarrëveshjes është norma e interesit. Vendimi i Këshillit të Ministrave për alokimin e garancisë përcakton një normë interesi tavan prej 5%, që për bankat është e papranueshme. Duke qenë se kohëzgjatja e kredive mund të jetë deri në pesë vjet, sipas bankave, ekzistenca e një tavani prej 5% krijon një risk për to, nëse normat e interesit do të rriten në të ardhmen.
VKM-ja parashikon që kreditë do të disbursohen në lekë, me një interes sa yield-i i bonove me maturim tremujor, plus një marzh fiks që mund të arrijë deri në 3%, po në të gjitha rastet interesi total i kredisë nuk mund të jetë më i lartë se 5%. Nëse bankat nuk tërhiqen, zgjidhja e këtij ngërçi do të kërkojë ndryshim në VKM-në përkatëse.
Një problem tjetër do të jetë problemi i mbulimit për pjesën e kredisë që nuk garantohet nga qeveria. Duke qenë se garancia sovrane do të mbulojë maksimalisht 60% të shumës së kredisë, për pjesën tjetër bankat do të kërkojnë kolateral nga biznesi. Por, dispozitat e VKM-së parashikojnë se, në rast të ekzekutimit të kolateralit, të ardhurat duhet të ndahen mes qeverisë dhe bankës.
Me një skemë të tillë, bankat supozohet që të kërkojnë një mbulim me kolateral jo vetëm për pjesën që nuk mbulohet nga garancia sovrane, por për të gjithë shumën e kredisë. Në këtë pikë, është kërkuar një intepretim nga Ministria e Financave.
Problemet e lindura mes qeverisë dhe sistemit bankar po e bëjnë edhe më të vështirë një skemë që ishte, qysh në fillim, larg pritshmërive të biznesit. Norma e interesit është pranë niveleve të tregut, ndërsa fakti që qeveria mbulon me garanci vetëm një pjesë të kredisë do të bëjë që bankat të kërkojnë garanci shtesë dhe të aplikojnë analiza rigoroze rreziku.
Linja e dytë e garancisë shtetërore ka një vlerë prej 15 miliardë lekësh dhe do të ofrojë mbështetje për kredi për likuiditet, me qëllim rifillimin e aktivitetit të ndërmarrjeve pas krizës së rëndë së Covid-19.