16 Maj

0 komente

Garancia e dytë, kredi deri në 300 mln lekë, por me interesa tregu. Kostot dhe termat janë larg kërkesave të biznesit.

Autor Ersuin Shehu

16 Maj, 2020

kryesore

Skema e dytë e garancisë sovrane nuk do të ketë kufizime sektoriale, ndërsa shuma maksimale e huasë së garantuar mund të jetë deri në 300 milionë lekë. Ndryshe nga sa u parashikua në një moment të parë, garancia e dytë e ofruar nga qeveria shqiptare nuk do të jetë e kufizuar vetëm për sektorët e turizmit, fasoneve apo industrinë, por e lë rrugën të hapur për të gjitha ndërmarrjet e prekura nga kriza e Covid -19.

Nëse skema e parë ishte vetëm në funksion të shlyerjes së pagave, e dyta ofron mbështetje për kredi oër likuiditet, me qëllim rifillimin e aktivitetit të ndërmarrjeve pas krizës së rëndë së Covid-19.

Qeveria do të garantojë deri në 60% të shumës së huasë, ndërsa për diferencën biznesi duhet të ofrojë kolateral, sipas kërkesave të bankës.

Megjithatë, normat e interesit do të jenë ndjeshëm më të larta se ato që kishte kërkuar biznesi. Sipas marrëveshjes, kreditë do të disbursohen në lekë, me një interes sa yield-i i bonove me maturim tremujor, plus një marzh fiks që mund të arrijë deri në 3% në të gjitha rastet, interesi total i kredisë nuk mund të jetë më i lartë se 5%. Aktualisht, yield-i i bonove tremujore është 1.54%, që duke i shtuar marzhin maksimal prej 3% e çon interesin tavan në 4.54%.

Skema parashikon që huatë mund të kenë një maturim deri në pesë vjet dhe një periudhë mospagese të principalit deri në gjashtë muaj.

Çdo biznes mund të përfitojë vetëm një hua të vetme nga kjo skemë. Nga skema përjashtohen ndërmarrjet me detyrime të pashlyera tatimore, si edhe bizneset që nuk plotësojnë kriteret e administrimit të rrezikut të aplikuara nga bankat, kryesisht të lidhura me të pasurit e kredive të këqija.

Marrëveshja parashikon që bankat mund të kërkojnë pagesën e garancisë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) vetëm pasi të kenë kaluar gjashtë muaj nga pagesa e fundit e kryer nga huamarrësi dhe vetëm pasi të jenë kryer të gjitha përpjekjet ligjore për mbledhjen e detyrimit.

Sidoqoftë, banka huadhënëse është e detyruar të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për marrjen mbrapsht të shumës edhe pas të ketë përfituar garancinë nga MFE, për pjesën e kredisë të garantuar prej saj.

Skema e re, megjithëse më e gjerë dhe pa kufizime në sektorë, duket shumë larg kërkesave të biznesit për nga kushtet dhe termat. Mbulimi me 60% i huasë me garanci do t’i bëjë bizneset subjekt i kërkesave shtesë nga bankat për kolateral, por edhe një analize më strikte risku.

Norma e interesit është gjithashtu mjaft e lartë, madje shumë më afër vlerave të tregut sesa interesit për një kredi të garantuar nga qeveria. Këtë javë, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë kishte kërkuar kredi me interes simbolik 0.2%, shumë larg asaj që ka ofruar qeveria.

Linja e dytë e garancisë shtetërore ka një vlerë prej 15 miliardë lekësh dhe është e ndarë në 12 bankat e licencuara tregtare, në përpjestim me pjesën e tregut të huasë që zotëron secila prej tyre.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes