7 Maj

0 komente

Fondi i shpëtimit të bankave arrin në gati dy miliardë lekë

Autor Ersuin Shehu

7 Maj, 2020

kryesore

Bankat tregtare kanë derdhur të plotë kontributin e këtij viti në krijimin e fondit të shpëtimit të sektorit bankar. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2020 bankat paguan 654 milionë lekë në fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Ky ishte viti i tretë që bankat kontribuojnë për ngritjen e këtij fondit dhe vlera totale e derdhur deri tani ka arritur në rreth 1.94 miliardë lekë.

Ligji “Për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka”, që hyri në fuqi në fillim të vitit 2017, parashikon krijimin e një fondi shpëtimi që duhet të jetë sa 0.5% e vlerës totale të detyrimeve të sistemit bankar brenda një afati 10-vjeçar. Vlera e synuar e fondit, deri në vitin 2027, është rreth 6.54 miliardë lekë.

Sipas ligjit, fondi administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe mund të investohet në instrumente financiare me rrezik të ulët. Investimet konsistojnë kryesisht në letra borxhi të qeverisë shqiptare.

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme ose siç njihet ndryshe Fondi i Shpëtimit të Bankave është një mekanizëm që u krijua në vendet e Bashkimit Europian, pas krizës financiare. Kriza në fjalë kërkoi angazhimin e fondeve publike për shpëtimin e disa bankave brenda Unionit.

Me qëllim që operacione të tilla në të ardhmen të mos rëndojnë buxhetet kombëtare dhe taksapaguesit, u krijua skema e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, sipas të cilës bankat duhet të kontribuojnë vetë për të krijuar një fond që do t’i shpëtojë, në rast nevoje, në të ardhmen.

Shqipëria nuk u përball me nevojën për të shpëtuar ndonjërën prej bankave, por mekanizmi mbrojtës u krijua edhe në vendin tonë, në modelin e praktikave të reja të rregullimit në Bashkimin Europian.

Megjithatë, është e qartë se praktikat e paskrizës që forcojnë në mënyrë drastike rregullimin e tregjeve kanë krijuar kosto shtesë që, në fund të fundit, do të paguhen nga publiku në çmimin e produkteve dhe shërbimeve bankare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes