22 Mars

0 komente

Fondi i garancisë nuk ngroh ekonominë, por jep të paktën shpresë për vijimin e kreditimit

Autor Ersuin Shehu

22 Mars, 2020


Masa më e rëndësishme e ndërmarrë nga qeveria për të ndihmuar biznesin të amortizojë goditjen në situatën aktuale është një fond garancie në vlerën e 10 miliardë lekëve për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Qëllimi kryesor është garantimi i pagave të punonjësve, në kushtet kur mijëra biznese janë detyruar të mbyllen, ndërsa shumë të tjera kanë pësuar rënie drastike të të ardhurave.

Ky mekanizëm parashikon ofrimin e garancisë sovrane nga qeveria për të lehtësuar marrjen e huave të bizneseve në sistemin bankar. Megjithëse skema ende nuk është detajuar, kjo mund të jetë një nga mënyrat e pakta për të nxitur kreditimin, në një moment kur ekonomia është pothuajse e bllokuar dhe rreziqet janë në rritje.  

Garancia sovrane nënkupton se, në rastin që huaja nuk shlyhet prej kredimarrësit, ajo do të paguhet nga qeveria. Rrjedhimisht, rreziku për bankat në këtë rast është teknikisht 0.

Vlera prej 10 miliardë lekësh që mbulon fondi i garancisë mund të mbulohet pa probleme nga sistemi bankar, që në fund të muajit janar zotëronte depozita në vlerën e 1038 miliardë lekëve ose rreth 8.4 miliardë eurove.

Ndërkohë, portofoli i kredisë ishte rreth 570 miliardë lekë ose 4.6 miliardë euro. Kjo tregon se vetëm 55% e depozitave janë të vendosura në kredi, ndërsa pjesa tjetër konsistojnë në investime në letra me vlerë apo vendosje në institucione financiare.

Megjithatë, nëse bllokimi i ekonomisë nga koronavirusi do të zgjasë për disa muaj, paketa e paraqitur nga qeveria do të jetë e pamjaftueshme që biznesi të përballojë pasojat e saj.

Qeveria është shprehur se mund të ketë ndërhyrje të tjera, në varësi të situatës, por paketa e parë nuk e ka qetësuar shumë biznesin dhe punonjësit.

Javën e ardhshme pritet edhe ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë, përmes uljes së normës bazë të interest. Por, shumë ekspertë mendojnë se tashmë banka qendrore duhet të aplikojë masa të reja, të ngjashme me programin e lehtësimit sasior në Eurozonë. Kjo do të nënkuptonte injektim likuiditeti shtesë përmes blerjes së bonove qeveritare.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes