26 Janar

0 komente

Fondet e investimit, viti 2019 në stanjacion. Kthime në rënie për lekun, por tërheqëse për euron.

Autor Ersuin Shehu

26 Janar, 2020


Tregu i fondeve të investimit u shfaq në stanjacion gjatë vitit 2019. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të vitit aktivet neto të këtyre fondeve arritën në 66.8 miliardë lekë ose rreth 548 milionë euro.

Vlera e aseteve neto regjistroi një rritje modest me 1% krahasuar me vitin 2018, por ndërkohë tregu ka pësuar rënie të lehtë në numrin e anëtarëve, që në fund të vitit zbriti në rreth 29 200, 0.6% më pak krahasuar me një vit më parë. 

Për momentin, duket se tregu ka arritur një lloj ngopjeje. Struktura e investimeve të fondeve në lekë dominohet nga obligacionet dhe bonot e thesarit, që zënë pothuajse 90% të vlerës totale të aseteve.

Tregu ende nuk ofron alternativa të tjera investimi financiar në monedhën vendase, çka nuk mundëson diversifikim të portofolit të instrumenteve dhe kthime më të larta për anëtarët e fondeve.

Kthimi vjetor nga fondet e investimit ka ndjekur përgjithësisht një tendencë rënëse gjatë vitit 2019, çka mund të jetë një nga faktorët që ka ndikuar në frenimin e tregut. Megjithatë, këto fonde sërish ofrojnë kthime më të larta në raport me depozitat bankare ose me investimin direkt në letrat e borxhit të qeverisë. 

Sipas të dhënave të raportuara nga shoqëritë administruese, në fund të vitit 2019, kthimi vjetor nga investimi për Credins Premium ishte 5.18%. Credins Premium ngelet fondi që ofron kthimet më të të larta në treg, megjithëse ky kthim pothuajse është përgjysnmuar që nga fillimi i vitit. Vijon Raiffeisen Vizion, me 3.86% dhe fondi më i hershëm në treg, Raiffeisen Prestigj, me 1.92%.

Ndërkohë, dy fondet e investimit në euro kanë raportuar kthime relativisht të larta. Fondi më i madh, Raiffeisen Invest Euro, në fund të vitit raportonte një kthim prej 3.98% për 12 muajt e fundit. Fondi WVP Top Invest nuk ka raportuar ende të dhëna të përditësuara për tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Në fund të shtatorit 2019, ky fond raportonte një kthim nga investimi prej 4.3% që nga fillimi i aktivitetit, në fillim të vitit 2018.  Ndryshe nga fondet e tjerë të investimit, WVP Top Invest nuk jep informacion për kthimin në 12 muajt e fundit në raportin periodik për investitorët.

Aktualisht, në Shqipëri janë të licencuara gjashtë fonde investimi, që menaxhohen nga katër shoqëri administruese. Në muajin dhjetor, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi fondin e investimeve në lekë, Albsig Standard, ndërsa në nëntor pati licencuar edhe shoqërinë që do ta administrojë, Albsig Invest.

Pjesa dërrmuese e tregut ende mbahet nga tre fondet e menaxhuara nga shoqëria Raiffeisen Invest, që zotërojnë rreth 94% të aktiveve totale të tregut.

Megjithatë, në rritje është edhe fondi i investimeve në lekë, Credins Premium, që në fund të vitit zotëronte 5.7% të aseteve të tregut, niveli më i lartë i regjistruar që nga themelimi, në vitin 2016.

Fondi tjetër, WVP Top Invest, ka ende pjesë të ulët tregu, me më pak se 0.2%, por ky fond ka një profil rreziku më të lartë, sepse angazhohet në investime në aksione në bursat e huaja.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes