Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordoi sot Shqipërisë një financim emergjent në vlerën e 190.5 milionë dollarëve amerikane ose 170 milionë eurove, me qëllim përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë së Covid-19.
Huaja është dhënë nën Instrumentin e Shpejtë të Financimit (Rapid Financing Instrument, RFI), që iu aakordohet vendeve anëtare për përmbushur nevojat urgjente në bilancin e pagesave. Mbyllja e ekonomisë për lëvizjen e njerëzve ka sjellë ndikim të ndjeshëm në uljen e flukseve valutore hyrëse edhe në Shqipëri, sidomos ato të lidhura me turizmin.
Sipas komunikatës së FMN-së, RFI-ja u ofron ndihmë të shpejtë financiare vendeve anëtare që përballen me një nevojë urgjente për mbulimin e bilancit të pagesave, pa pasur nevojë për një program ekonomik apo rishikime.
Instrumenti mund të ofrojë mbështetje për një sërë nevojash urgjente, përfshirë ato që rrjedhin nga goditje në çmimet e mallrave të bursës, fatkeqësi natyrore, konflikte dhe situatat pas konfliktit. Ndihma financiare nën instrumentin e RFI-së ofrohet në formën e disbursimit të menjëhershëm.
Tao Zhang, zv/drejtori i përgjithshëm dhe kryetari në detyrë i Bordit të FMN-së tha se tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia aktuale e Covid-19 kanë shkaktuar vështirësi të konsiderueshme dhe ndërprerje të aktivitetit ekonomik në Shqipëri.
Këto dy goditje të njëpasnjëshme pritet që të krijojnë presione të mëdha fiskale dhe një nevojë urgjente për bilancin e pagesave përkundrejt shtrëngimit të kushteve financiare botërore.
“Përgjigja e autoriteteve ndaj goditjeve ka qenë në kohën dhe drejtimin e duhur. Në përgjigje të pandemisë Covid-19, autoritetet kanë ndërmarrë masa shtrënguese për kontrollin dhe ngadalësimin e përhapjes dhe kanë shpallur një paketë fiskale prej 1.4% të PBB-së për të siguruar kujdesin e duhur shëndetësor dhe mbështetje për familjet dhe bizneset e prekura. Vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën kyçe të interesit është gjithashtu i mirëpritur. Për të kufizuar ndikimin e Covid-19 është e nevojshme të rritet në mënyrë të konsiderueshme defiçiti fiskal në 2020. Eshtë e rëndësisë kritike që të sigurohen shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor dhe mbështetje për qytetarët dhe firmat që janë dëmtuar nga pandemia Covid-19,” tha Zhang.