22 Maj

0 komente

Fitimet e çmendura të koncesioneve monopol: Aleat fitoi në 2019 tre herë sa kapitali i paguar aksioner!

Autor Ersuin Shehu

22 Maj, 2020

kryesore

Viti i rinovimit të dokumenteve të identitetit të shqiptarëve ka rritur pothuajse me tre herë të ardhurat e kompanisë koncesionare Aleat. Mbështetur në pasqyrat financiare, vitin e kaluar Aleat arkëtoi gati 6 miliardë lekë nga prodhimi i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike të shtetasve shqiptarë.

Ashtu si shumica e koncesioneve monopol, Aleat ngelet gjithashtu ndër ndërmarrjet më fitimprurëse në ekonominë shqiptare. Për vitin e kaluar, Aleat realizoi një fitim neto në vlerën e 1.9 miliardë lekëve ose më shumë se 15 milionë eurove. Fitimi neto i Aleat është rritur me katër herë e gjysmë krahasuar me vitin 2018.

Fitimi neto i vitit 2019 është tre herë më i lartë kapitali i nënshkruar aksioner. Kjo do të thotë se, vetëm në një vit, aksionerët e Aleat kanë fituar tre herë sa kapitalin që kanë investuar. Këtyre iu shtohen edhe disa dhjetëra milionë euro dividendë që kompania i ka shpërndarë tashmë në vitet e mëparshme.

Mbështetur në pasqyrat financiare të Aleat, në periudhën 2009-2019, kjo kompani ka siguruar fitime neto në vlerën e mbi 8 miliardë lekëve ose rreth 65 milionë euro (me kursin e vitit të kaluar).

Nga ana tjetër, Aleat i paguan qeverisë shqiptare një tarifë koncesioni sa 5% e xhiros vjetore, shumë kjo qesharake në raport me përfitueshmërinë që siguron kompania.

Nivele të tilla të kthimit nga kapitali janë absurde dhe të pashembullta në asnjë treg tjetër, të rregulluar ose jo. Kjo kompani ofron një shërbim publik, të dhënë me koncesion nga qeveria shqiptare dhe zotëron një pozitë monopoli absolute. Fitime të këtyre përmasave janë jashtë një logjike të ndershme biznesi dhe dëshmojnë se çmimet që paguajnë shqiptarët për dokumentet e identitetit janë abuzive.

Prej më shumë se një dekade, koncesionet ose PPP-të janë bërë një mekanizëm përfitimesh në kurriz të shqiptarëve prej bizneseve dhe politikanëve që i japin këto kontrata.

Aksionerët e Aleat janë kompania franceze Idemia Identity & Security, me 75% të kuotave dhe Fondi Shqiptaro – Amerikan i Ndërmarrjeve, me 25%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes