4 Nëntor

0 komente

Financimi i PPP-ve, vetëm BKT ka marrë përsipër rrezikun

Autor Ersuin Shehu

4 Nëntor, 2019


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fillim të tetorit, iu drejtua me një letër drejtuesve të bankave tregtare, ku kërkonte mosfinancimin e dy kontratave të mëdha të parneritetit publik-privat (PPP), ato të rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Basha paralajmëroi se Partia Demokratike do t’i anullojë menjëherë këto dy kontrata, në rast se vjen në pushtet.

Letra e Lulzim Bashës e bën akoma më të komplikuar problemin e financimit të këtyre projekteve nga sistemi bankar në vend. Duke qenë se shteti shqiptar nuk jep garanci sovrane, bankat marrin përsipër rreziqe të konsiderueshme, sidomos në skenarin kur qeveria vendos të zgjidhë kontratën me kompaninë ndërtuese.

Deri tani, vetëm një bankë ka marrë përsipër financimin e projekteve madhore të PPP-ve. Në gusht të vitit të kaluar, BKT ka miratuar një hua prej 9.5 miliardë lekësh te kompania “Gjoka 87”, kompania që po zbaton projektin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit përmes një kontrate PPP-je me qeverinë shqiptare. Kjo është njëkohësisht kredia më e madhe e dhënë ndonjëherë nga një bankë tregtare në Shqipëri.

Megjithatë, mbështetur në bilancin e kompanisë “Gjoka 87”, deri në fund të vitit të kaluar, shuma e lëvruar e kredisë ishte vetëm 2.2 miliardë lekë ose më pak se një e katërta e shumës së miratuar. Kjo bankë gjithashtu ka dhënë një kredi prej 28.5 milionë euro te “Albania Highway Concession”, kompania që po zbaton kontratën koncesionare të përfundimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit. Kredia ka një maturim 7 vjeçar dhe një interes minimal prej 5%, ndërsa shlyerja e principalit do të fillojë pas vitit të tretë të kontratës.

Në dy rastet e mësipërme, garancia kryesore e dhënë nga huamarrësit është vendosja e barrës siguruese mbi aksionet e kompanive, si edhe mbi llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave nga këto shoqëri.

Financimi i projekteve të tjera duket se do të jetë i vështirë, për vetë përmasat e mëdha të tyre. Kontratat e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat kanë një vlerë të përbashkët prej më shumë se 330 milionë eurosh, ndërkohë që është e qartë se firmat kontraktore nuk kanë mundësi të financojnë pjesë domethënëse të projekteve me kapitalet e tyre.

Bankat tregtare kanë një kufi ekspozimi te një klient i vetëm për shuma deri në 20% të kapitalit të tyre rregullator. Në rastin e kredisë së Rrugës së Arbrit, BKT e ka shfrytëzuar pothuajse të gjithin këtë limit. Për bankat e tjera, me përmasa dhe kapital më të vogël, kufiri i ekspozimit do të ishte shumë më i ulët.

Në teori, zgjidhja mund të ishte dhënia e kredive të përbashkëta ose sindikale nga një grup bankash. Por, miratimi i kredive të tilla është një proces i gjatë dhe relativisht i ndërlikuar burokratik, për shkak të pjesëmarrjes së disa aktorëve.

Bankat janë para dilemës për të vendosur, por, mesazhi i kryetarit të Partisë Demokratike sigurisht që nuk është inkurajues dhe shton rreziqet eventuale nga financimi i projekteve të radhës së PPP-ve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes