Në vitet e fundit, kuadri ligjor për parandalimin e pastrimit të parave i është nënshtruar ndryshimeve të shpeshta, me qëllim shtrëngimin e masave dhe shtimin e filtrave për paratë që vijnë nga aktivitetet e jashtëligjshme. Në teori, të fusësh para në bankë pa justifikuar burimin e tyre është bërë më e vështirë.
Sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, miratuar që në vitin 2009, bankat raportojnë në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave të gjitha transaksionet me vlerë 1 milionë lekë e lartë brenda 24 orëve.
Megjithatë, procedurat dhe filtrat e aplikuara nga bankat kundrejt klientit kanë ndryshuar. Sot klientët duhet detyrimisht të paraqisin dokumentacion justifikues për depozitimet ose transfertat në shuma të mëdha.
Megjithëse procedurat e ndjekura mbështeten në rregulloret e brendshme të bankave dhe nuk ka një limit të përcaktuar shprehimisht në ligj apo rregullore, përgjithësisht bankat përdorin si kufi vlerën përtej të cilës transaksionet raportohen te Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe kërkojnë dokumente justifikuese për vlera mbi 1 milionë lekë ose shumën ekuivalente në valutë të huaj.
Ndërkohë, për shuma më të vogla se 1 milionë lekë, mund të kërkohet vetëdeklarim, por limitet ndryshojnë nga banka në bankë. Ligji kërkon që të gjitha transfertat ose transaksionet në vlerë mbi 100 mijë lekë të jetë subjekt i masave të vigjilencës, çka do të thotë se sipër kësaj shume bankat mund të kërkojnë një deklarim për burimin e parave.
Të gjitha bankat kanë tashmë një strukturë të veçantë përgjegjëse për parandalimin e pastirmit të parave, që raporton dhe mban kontake periodike me institucionet që monitorojnë ligjërisht këtë aktivitet.
Për shkak të masave të mësipërme, depozitimi i shumave të mëdha dhe të pajustifikuara në bankë është bërë i vështirë. Kjo është një nga arsyet pse në vitet e fundit perceptohet një tendencë në rritje për t’i investuar paratë nga burime të jashtëligjshme në tregun e pasurive të paluajtshme.