Banka bullgare First Investment Bank (Fibank) do të synojë një rritje kapitali prej 200 milionë levash ose rreth 102 milionë eurosh, përmes ofertës publike të aksioneve në Bursën e Sofjes. Procesi pritet të nisë më datë 15 maj dhe parashikohet të mbyllet deri në 25 qershor.
Në muajin prill, Komisioni i Mbikëqyrjes Financiare në Bullgari miratoi prospektin e emetimit të aksioneve të reja nga Fibank, pasi kishte kërkuar disa herë më parë rishikimin e tij.
Muajin e kaluar, Ministri bullgar i Financave, Vladislav Goranov, deklaroi se vetëm një bankë (Fibank) duhet të plotësonte kërkesat për kapital shtesë, me qëllim që Bullgaria të plotësonte kriteret për t’iu bashkuar Mekanizmit të Bashkimit Europian për Kursin e Këmbimit. Mekanizmi në fjalë është një lloj paradhome e hyrjes së vendeve anëtare të BE-së në Eurozonë.
Vitin e kaluar, Banka Qendrore Europiane (BQE) evidentoi një nevojë për kapital shtesë te Fibank në vlerën e 262.9 milionë eurove, ndërsa për bankën tjetër, Investbank, nënkapitalizimi u vlerësua në rreth 51.8 milionë euro. Konstatimi erdhi pas ushtrimit të provave të rezistencës dhe vlerësimit të cilësisë së aktiveve. Investbank i plotësoi kërkesat për rritje të kapitalit gjatë muajit prill.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Fibank realizoi një emetim obligacionesh me vlerë 30 milionë euro, ndërsa shiti një portofol kredish të këqija prej 538 milionë levash (rreth 275 milionë euro). Në përfundim të këtij procesi, viti 2019 u mbyll me një fitim neto prej rreth 138 milionë levash (afërsisht 71 milionë euro), që iu shtuan kapitalit rregullator të nivelit të parë.
Për të adresuar pjesërisht nevojat për kapital, grupi bullgar kërkoi edhe një dividend nga banka e saj në Shqipëri. Në përgjigje, Fibank – Shqipëri shpërndau në fund të vitit të kaluar edhe një dividend prej 3 milionë eurosh nga fitimet e akumuluara për aksionerin saj të vetëm, First Investment Bank AD.