8 Prill

0 komente

Fasonet sollën 452 milionë euro në ekonomi vitin e kaluar

Autor Ersuin Shehu

8 Prill, 2020


Të ardhurat me puna me porosi në ekonominë shqiptare u rritën sërish për vitin 2019. Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga sektori i fasonëve arritën në 452 milionë euro. Krahasuar me vitin 2018, të ardhurat nga shërbimet e përpunimit të mallrave për llogari të kontraktorëve të huaj u rritën me 8%.

Rritja e vazhdueshme në vitet e fundit besohet të ketë krijuar rezerva në ndërmarrjet e rëndësishme të këtij sektori për të përballur me pandeminë e COVID 19.

Epidemia mendohet se do të ndikojë në uljen e kërkesës së jashtme dhe rënien e porosive. Në këtë fazë të parë, sipërmarrësit ankohen për vështirësi në furnizmin me lëndë të parë, por ndërkohë edhe procesi i punës është vështirësuar për shkak të karantinës së vendosur me qëllim frenimin e përhapjes së epidemisë.

Sektori i fasonerisë, sidomos në degët e produkteve tekstile dhe këpucë, i rezistoi mirë viteve të krizës ekonomike. Falë afërsisë me Europën Perëndimore, përvojës së fituar në 25 vjet, por edhe falë pagave shumë të ulëta, fasoneria shqiptare po arrin jo vetëm të mbijetojë, por edhe të rritet vit pas viti.

Ky sektor është grupi me peshën më të lartë ndër eksportet shqiptare, me mbi 40% të totalit. Por, ndërkohë, aktiviteti fason po shtrihet edhe në segmente më të specializuara të industrisë, megjithëse këtu Shqipëria është mbrapa krahasuar me vendet fqinje dhe sidomos me Maqedoninë e Veriut.

Sipas sipërmarrësve, mungesa e forcës së punës ngelet një nga problemet kryesore për të diversifikuar bazën e aktiviteteve që mund t’i zhvendosin pjesërisht proceset e prodhimit në Shqipëri.

www.sfidabiznesi.net

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes