14 Gusht

0 komente

Eurosig merr kontrollin e UBA për 3.4 milionë euro

Autor editor

14 Gusht, 2021

kryesore

Këtë muaj, kompania e sigurimeve Eurosig zyrtarizoi blerjen e 30% të aksioneve në Bankën e Bashkuar e të Shqipërisë. Pas blerjes së paketës prej 30% të kuotave nga Banka Islamike për Zhvillim (IDB), kompania e biznesmenit Kadri Morinaj, është bërë tashmë aksioneri kontrollues në bankën më të vogël të sektorit bankar shqiptar.

Eurosig ka paguar rreth 412 milionë lekë ose rreth 3.4 milionë euro për 30% të aksioneve të bankës. Transaksioni është kryer me një çmim prej rreth 2334 lekë për aksion, ose sa rreth 0.7% e vlerës së tyre nominale. Tashmë, UBA është bërë zyrtarisht banka e pestë me kapital kontrollues shqiptar, pas Credins Bank, Union Bank, ABI Bank dhe Tirana Bank. Bankat shqiptare kontrollojnë tani 32% të aktiveve totale të sektorit bankar shqiptar.

Eurosig hyri në UBA në gusht të vitit 2019, duke blerë 9% të aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim, për afërsisht një milionë dollarë amerikanë. Në dhjetor 2019, Eurosig mbuloi e vetme rritjen e kapitalit të bankës, të kërkuar nga Banka e Shqipërisë, me një milionë dollarë të tjerë dhe duke e çuar pjesëmarrjen në 15.32%.

Në maj 2020, Eurosig nënshkroi pjesën dërrmuese të rritjes së kapitalit të bankës, të kërkuar nga Banka e Shqipërisë, me rreth 984 mijë dollarë të tjerë dhe duke e çuar pjesëmarrjen në 15.32%. Në gusht 2020, Eurosig bleu edhe 1.36% të aksioneve, që mbaheshin nga kompania malajziane Business Focus SDN, për rreth 169 mijë dollarë amerikanë.

Në fund të vitit 2020, Eurosig realizoi edhe blerjen e 2.15% të aksioneve që mbahen nga grupi saudit Dallah Albaraka Holding, duke e çuar pjesëmarrjen në UBA në rreth 21%. Me blerjen e paketës së fundit dhe më të madhe të aksioneve nga IDB, investimi total i Eurosig në UBA arriti në rreth 5.8 milionë euro.

Eurosig ka qenë një nga subjektet shqiptare më të interesuara për të përfituar nga epoka e shitjeve me çmime të leverdishme në sektorin bankar. Në vitin 2018, Eurosig pati bërë ofertën më të lartë në garën e blerjes së bankës NBG Shqipëri, por më pas u tërhoq nga gara.

Banka e Bashkuar e Shqipërisë është një bankë e themeluar qysh në vitin 1993, por deri tani nuk ka arritur të fitojë një peshë të rëndësishme në tregun bankar shqiptar. Në mesin e këtij viti zotëronte 0.7% të tregut bankar, për një total aktivesh prej 10.9 miliardë lekësh. Për 6-mujorin 2021, UBA ka raportuar një rezultat financiar me fitim në vlerën e rreth 87 milionë lekëve. Deri tani, UBA është një nga bankat më fitimprurëse gjatë këtij viti, me një kthim nga kapitali në nivelin 14.2%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes