14 Maj

0 komente

Eurosig blen një milionë USD aksione të reja në UBA. Kompania e Kadri Morinajt rrit pjesëmarrjen në 15.32%.

Autor Ersuin Shehu

14 Maj, 2020

kryesore

Kompania e sigurimeve Eurosig ka rritur pjesëmarrjen në kapitalin aksioner të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA). Eurosig ka mbuluar pothuajse të gjithë rritjen e kapitalit të miratuar nga banka dhjetorin e vitit të kaluar, për nëj vlerë totale prej rreth 1 milionë dollarësh amerikanë. Me nënshkrimin e aksioneve të reja, pjesa e Eurosig në kapitalin e UBA është rritur nga 9% në 15.32%.

Eurosig hyri në UBA në gusht të vitit të kaluar, duke blerë 9% të aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim, për afërsisht një milionë dollarë amerikanë. Në fund të vitit të kaluar, Eurosig arriti edhe një marrëveshje në parim me aksionerë të vegjël sauditë të UBA-s, për të blerë edhe 5.9% të aksioneve. Kjo blerje do të bëhej përmes kompanisë tjetër të sigurimeve, Insig, që kontrollohet 100% nga Eurosig.  

Deri tani, kjo marrëveshje nuk është finalizuar. Banka e Shqipërisë ishte shprehur për të lejuar rritjen e pjesëmarrjes së Eurosig në UBA deri pranë nivelit të 15%. Blerja e një pakete tjetër aksionesh nëpërmjet Insig do ta çonte pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të Eurosig në UBA në mbi 22%. Mund të hipotizohet se Banka Qendrore për momentin nuk e ka lejuar një rritje të tillë.

Ambicia e Kadri Morinajt për të blerë një bankë tregtare është e njohur, që kur në vitin 2018 hyri në garën për blerjen e NBG Bank Shqipëri. Në atë rast, Banka e Shqipërisë nuk dha opinion të favorshëm, çka e detyroi Eurosig të mënjanohej nga gara.

Tashmë, plani afatgjatë i Kadri Morinajt është marrja e kontrollit të UBA-s. Aksioneri kryesor, Banka Islamike për Zhvillim, nuk duket të ketë interes të madh për të vazhduar investimin në Shqipëri. Kjo mund të kuptohet edhe nga vendimi për të mos marrë pjesë në rritjen e fundit të kapitalit, që u mbulua e gjitha nga Eurosig. Mbetet për t’u parë nëse Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të qëndrojë ndërmjet Kadri Morinajt dhe ëndrrës së tij për t’u bërë bankier.

Banka e Bashkuar e Shqipërisë është një bankë e themeluar qysh në vitin 1993, por pa arritur ndonjëherë të zërë një peshë të rëndësishme në tregun bankar shqiptar. Sipas të dhënave të raportuara nga UBA, në mars të këtij viti ajo zotëronte 0.6% të tregut bankar, për një total aktivesh prej 9.5 miliardë lekësh. Aksioneri kontrollues në UBA, me 72% të kuotave, ngelet Banka Islamike për Zhvillim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes