Kompania e sigurimeve Eurosig e ka rritur përsëri pjesëmarrjen në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë. Eurosig ka blerë edhe 1.36% të aksioneve, që mbaheshin nga kompania malajziane Business Focus SDN, për rreth 169 mijë dollarë amerikanë. Pas blerjes, pjesa e Eurosig në kapitali e UBA ka arritur në 16.68%. Së shpejti, pritet që Eurosig të mbyllë edhe blerjen e 2.15% të aksioneve që mbahen nga grupi saudit Dallah Albaraka Holding.
Blerjet e fundit konfirmojnë synimin e Eurosig për të marrë gradualisht kontrollin e UBA-s, ku ka investuar tashmë dy milionë dollarë në blerje aksionesh dhe nënshkrim aksionesh të reja.
Eurosig hyri në UBA në gusht të vitit të kaluar, duke blerë 9% të aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim, për afërsisht një milionë dollarë amerikanë. Në dhjetor 2019, Eurosig mbuloi e vetme rritjen e kapitalit të bankës, të kërkuar nga Banka e Shqipërisë, me një milionë dollarë të tjerë dhe duke e çuar pjesëmarrjen në 15.32%.
Aktualisht, aksioneri kontrollues në UBA është Banka Islamike për Zhvillim, me 72.2% të aksioneve, ndërsa Eurosig është bërë ortaku i dytë më i madh për nga pjesëmarrja. Të dy këta aksionerë zotërojnë tashmë 89% të aksioneve. Pjesa e mbetur mbahen nga banka nga Bahreini Ithmaar Bank, grupi saudit Dallah Albaraka dhe nga disa aksionerë të vegjël individualë, kryesisht nga Arabia Saudite.
Banka e Bashkuar e Shqipërisë është një bankë e themeluar qysh në vitin 1993, por pa arritur ndonjëherë të fitojë një peshë të rëndësishme në tregun bankar shqiptar. Ajo vepron mbështetur në parimet e bankingut islamik dhe në mesin e këtij viti zotëronte 0.6% të tregut bankar, për një total aktivesh prej 9.1 miliardë lekësh. Për 6-mujorin 2020, UBA ka raportuar një rezultat financiar me humbje në vlerën e rreth 12 milionë lekëve.