7 Shkurt

0 komente

Eurosig “bën paqe” me AMF dhe rrit kapitalin aksioner

Autor editor

7 Shkurt, 2021

kryesore

Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi në mbledhjen e parë të këtij viti ndryshimet në statutin e shoqërisë së sigurimeve Eurosig, të lidhura me rritjen e kapitalit të shoqërisë. Eurosig rriti kapitalin me afërsisht 220 milionë lekë, në përgjigje të kërkesës së bërë nga autoriteti rregullator.

Rritja e kapitalit të Eurosig u mbulua nga kompania aksionere Euro-Alba-EA, që rriti pjesëmarrjen në kapitalin nga 9.69% në 17.65%. Sipas informacionit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Euro-Alba-EA është një kompani me kapital shqiptar dhe aksioner i vetëm është biznesmeni Gazmen Neza. Edhe pas rritjes së kapitalit, aksioneri kryesor i Eurosig do të ngelet biznesmeni Kadri Morinaj, me 64.5% të kuotave.

Prej disa vitesh, Eurosig kishte hyrë në mosmarrëveshje me AMF, lidhur me parametrat e kërkuara rregullatorë. AMF nuk njihte investimet në filiale, si aktive në mbulim të provigjioneve teknike, ndërsa Eurosig ngulte këmbë për të kundërtën. Çështja përfundoi në gjykatë dhe u fitua nga Eurosig. Megjithatë, pas largimit të Ervin Koçit nga drejtimi i AMF dhe zëvendësimit të tij me Ervin Meten, kontradiktat janë zbutur. Eurosig ka pranuar të rrisë kapitalin për të qenë në linjë me kërkesat rregullatore.

Eurosig është grupi i dytë më i madh në tregun shqiptar të sigurimeve. Për vitin 2020, Eurosig dhe Insig zotëronin më shumë se 20% të primeve të shkruara bruto të sigurimit, për një vlerë totale prej 3.1 miliardë lekësh.

Në vitin 2016, Eurosig fitoi garën për privatizimin e Insig, me një ofertë prej 2.2 miliardë lekësh ose rreth 16 milionë euro me kursin e atëhershëm. Por, pas privatizimit të Insig, Eurosig ka evidentuar probleme në bilancet.

Vitin e kaluar, ajo e hodhi në gjyq shtetin shqiptar dhe i kërkon mbrapsht 14 milionë euro nga paratë e paguara për blerjen e Insig. Eurosig e argumenton kërkesën për dëmshpërblim me faktin se, sipas saj, Insig nuk kishte llogaritur rezervat e nevojshme teknike për përgjegjësitë e marra përsipër, sidomos në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes