20 Prill

0 komente

Eurobondet shqiptare tregtohen me yield 1.8%, pranë nivelit të atyre italiane

Autor Ersuin Shehu

20 Prill, 2020

kryesore

Shqipëria pritet të dalë sërish këtë vit në tregjet financiare për të emetuar një eurobond të ri. Sipas parashikimeve të qeverisë shqiptare, shuma e huasë e kërkuar mund të arrijë deri në 650 milionë euro. Shqipëria do të kthehet në tregjet financiare dy vjet pas emetimit të vitit 2018, kur siguroi një hua prej 500 milionë eurosh, përmes obligacioneve 7 vjeçare me kupon 3.5%.

Eurobondi i emetuar në tetor të vitit 2018 po shfaq një performancë relativisht të mirë në tregje. Mbështetur në të dhënat e datës 20 prill, eurobondi 7 vjeçar shqiptar tregtohej me një yield pranë nivelit 1.8%, pothuajse në në gjysmën e vlerës së kuponit fiks të emetimit. Një yield më i ulët se kuponi tregon se obligacionet shqiptare po tregtohen me një çmim më të lartë se ai nominal, çka bën që kthimi efektiv për blerësin në formën yield-it të jetë më i ulët se interesi i kuponit fiks.

Duke pasur parasysh vlerësimin sovran të Shqipërisë, performanca e eurobondit duke e mirë. Për shembull, obligacionet 7 vjeçare të Italisë u tregtuan ditën e hënë me një yield pranë nivelit 1.7%, lehtësisht më pak në raport me obligacionet e Shqipërisë. Në rastin e obligacioneve të Italisë, yield-et janë ndjeshëm më të larta se kuponi prej 1.25%. Kjo tregon se aktualisht tregjet perceptojnë një rrezik në rritje nga mbajtja e borxhit italian.

Për krahasim, eurobondet 7 vjeçare të emetuara nga Serbia vitin e kaluar tregtoheshin sot me një yield prej afërsisht 2.7%. Ndërsa obligacionet 7-vjeçare të Rumanisë (të emetuara në vitin 2018, njëlloj si ato shqiptare) tregtoheshin të hënën me një yield prej 3.9%, ndjeshëm më të lartë se si i Shqipërisë.

Të dy këto shtete kanë një vlerësim sovran nga Moody’s pak më të mirë se Shqipëria, ndaj fakt që borxhi shqiptar tregtohet me yield-e më të ulët mund të interpretohet si një percpetim pozitiv i investitorëve.

Yield-et e tregtimit të borxhit sovran për shumicën e ekonomive europiane ngelen në nivele të ulëta. Obligacionet e Gjermanisë, Austrisë, Hollandës, Francës dhe Irlandës tregtohen me yield-e negative, ndërsa për shumicën e vendeve të tjera yield-et janë poshtë kufirit të 1%.

Yield-et e tregtimit të obligacioneve sovrane 7-vjeçare më datë 20 prill.

Rumani3.9%
Serbi2.7%
Shqipëri1.8%
Itali1.7%
Çeki1.2%
Portugali0.8%
Spanjë0.7%
Slloveni0.3%
Bullgari0.02%
Belgjikë0
Francë-0.1
Austri-0.1
Irlandë-0.3
Hollandë-0.3
Gjermani-0.6
Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes