Euro fitoi pothuajse një pikë në kursin e këmbimit me lekun ditën e enjte. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, një euro këmbehej me 125.4 lekë. Ky është niveli më i lartë që nga marsi i vitit të kaluar. Që nga nisja e masave kufizuese kundër përhapjes së Covid 19, euro ka fituar rreth 3 pikë në kursin e këmbimit me lekun.
Veçanërisht gjatë kësaj jave, forcimi i euros ka marrë ritëm më të shpejtë dhe po e vendos ekonominë përballë një kërcënimi serioz të zhvlerësimit të monedhës kombëtare.
Gjatë dy javëve të fundit, vendosja e masave kufizuese ka rritur ndjeshëm shitjet e mallrave të konsumit që vijnë kryesisht nga importi.
Shitjet e shpejta, por edhe perspektivat shqetësuese për të ardhmen e afërt besohet se kanë shtyrë importuesit të rrisin porositë në sasi të mëdha, edhe për të siguruar rezerva të mjaftueshme. Kjo është përkthyer në një kërkesë në rritje për euro, që është edhe monedha kryesore në të cilën blihen mallrat e importit.
Rritja e kërkesës ka ardhur në momentin kur prurjet e euros në ekonomi vlerësohet të kenë pësuar rënie drastike, për shkak të bllokimit të turizmit.
Një faktor tjetër që po shtyn lekun drejt nënçmimit besohet të jenë operacionet e Bankës së Shqipërisë. Të mërkurën Këshilli Mbikëqyrës uli normën bazë të interesit, ndërsa Guvernatori Sejko tha se tregu do të kufizohet pa kufizime me të gjithë likuiditetin e nevojshëm.
Ulja e normës bazë dhe injektimi i likuiditetit në treg rrisin ofertën e lekut në qarkullim dhe, në teori, ndikojnë në një nënçmim të monedhës vendase.
Zhvlerësimi i lekut në këtë moment mund të jetë një rrezik më shumë për ekonominë shqiptare, që po përballet me efektin e masave kufizuese që synojnë të frenojnë përhapjen e koronavirusit.
Zhvlerësimi i lekut do të sillte rritje të çmimeve të konsumit dhe të kostos së jetesës, në një moment kur të ardhurat e bizneseve dhe familjeve pritet të pësojnë rënie drastike.