Euro regjistroi një tjetër rritje të fortë në kursin e këmbimit valutor me lekun. Sipas Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 131.06 lekë, pothuajse tre lekë më shumë krahasuar me të premten e javës së kaluar.
Pikërisht javën e kaluar euro filloi një mbiçmim shumë të shpejtë, ndërsa që nga fillimi i krizës së COVID 19, euro ka fituar pothuajse 7% në kursin e këmbimit me lekun.
Mbyllja e kufijve për lëvzizjen e shtetasve praktikisht i ka zeruar prurjet nga burime të rëndësishme, siç janë turizmi apo remitancat.
Ndërkohë, javët e fundit ka pasur një rritje të fortë të kërkesës për valutë nga importuesit e mallrave të konsumit, pjesërisht e ndikuar edhe nga urdhëri i qeverisë për të krijuar rezerva për tre muajt e ardhshëm. Nevoja për mallra konsumi ka rritur kërkesën për euro në tregun valutor vendas.
Paralelisht, besohet se Banka e Shqipërisë po injekton sasi të mëdha likuiditeti në treg, për të mbështetur nevojat e sistemit bankar dhe të ekonomisë. Kjo po shton ofertën në monedhën vendase, duke i lëvizur edhe më shumë balancat në kahun e nënçmimit të lekut.
Ekonomia shqiptare ndodhet në një moment të vështirë. Kufizimet për të frenuar përphapjen e epidemisë së COVID 19 pritet të shkaktojnë një ngadalësim drastik të rritjes ekonomike. Paralelisht, zhvlerësimi i shpejtë i monedhës mund të shtojë rreziqet për ekonominë dhe sistemin financiar.
Rreth një e katërta e portofolit të kredisë së dhënë nga sistemi bankar shqiptar është e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Nënçmimi i shpejtë i lekut ndaj euros mund të rëndojë edhe më shumë aftësinë paguese të huamarrësve dhe të përkeqësojë cilësinë e huasë.
Për momentin, vetëm një ndërhyrje e Bankës së Shqipërisë mund ta zbusë përkohësisht zhvlerësimin e lekut, që rrezikon të hyjë në një vorbull të rrezikshme për ekonominë shqiptare.
Një nënçmim i moderuar dhe gradual i monedhës mund t’i shërbente objektivit të kthimit të inflacionit në objektiv, por ritmi dhe përmasa me të cilin po ndodh ky nënçmim sigurisht që nuk është i duhuri.
Instrumenti kryesor që Banka e Shqipërisë disponon për të luftuar nënçmimin e fortë të monedhës është rezerva valutore.
Në fund të muajit shkurt, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë arriti në vlerën e 3.34 miliardë eurove. Në pesë vitet e fundit, rezerva valutore është rritur me afërsisht një miliardë euro.
Në pjesën më të madhe, rezerva është e investuar në obligacione, ndërkohë që afërsisht një e treta mbahet në formë depozitash pranë Bankës Qendrore Europiane.
Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, ajo mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, kur ato mund të cënojnë stabilitetin makroekonomik të vendit.
Rritja e rezervës valutore ka qenë një strategji e ndjekur me qëllim kontrollin e rreziqeve të lidhura me euroizimin e lartë të ekonomisë dhe sistemit financiar.