Drejtori i ri ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, zhvilloi të martën takimin e parë me drejtuesit e shoqërive të sigurimit. Sipas njoftimit të AMF-së, në takim u diskutua mbi ecurinë e tregut të sigurimeve, në veçanti për efektet e pandemisë COVID-19 dhe procesin e dëmshpërblimit pas dy tërmeteve të vitit të kaluar.
Mete vlerësoi menaxhimin e situatës pas tërmetit nga ana e shoqërive të sigurimit, si edhe ecurinë e procesit të dëmshpërblimit, ndërsa kërkoi përmbylljen pa vonesa të të gjitha pagesave të mbetura pezull.
Për dhjetorin e vitit 2019 dhe katër muajt e parë të vitit 2020, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 15.5 milionë euro dëme në klasën e sigurimit nga forcat e natyës. Pjesa dërrmuese e kësaj shume lidhet me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv kërkoi nga shoqëritë e sigurimit marrjen e masave për të rishikuar planet e vazhdimësisë së biznesit në rastet e krizave dhe situatave të jashtëzakonshme.
Ai tha se situata e krijuar nga pandemia ekspozoi varësinë ndaj sigurimit TPL, duke vërtetuar nevojën e zhvillimit të tregut të sigurimeve. Mete gjeti edhe rast të nënvizojë se dixhitalizimi është thelbësor, për raportimin, inspektimin apo e-shërbimet, por nuk tha asnjë fjalë për dështimin për të implementuar sistemin bonus-malus në sigurimet e detyrueshme motorrike. Një vit më parë, AMF miratoi udhëzimin për implementimin e sistemit bonus-malus në sigurimet e brendshme TPL.
Ky udhëzim synonte zbatimin e bonus-malus pa pritur miratimin e ligjit të ri për sigurimet e detyrueshme motorrike, që tashmë është bërë diçka e ndërmjetme mes një telenevole dhe një anekdote.
Shoqëritë e sigurimeve ranë dakord që ta zbatonin sistemin dhe kjo u shpall si një arritje e rëndësishme për tregun. Por, kur erdhi koha për të nisur zbatimin e bonus-malus, shoqëritë e sigurimeve u tërhoqën pa u skuqur fare, me justifikimin se ulja e primit dëmton financiarisht kompanitë, se bonus-malus nuk është një praktikë e njohur në Europë, se nuk mund të vendosen bonuse për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe gjithfarë justifikimesh të tjera që nuk i patën zënë në gojë kur udhëzimi i bonus-malus u miratua, një vit më parë.
Pavarësisht nga kjo, drejtori i ri i AMF-së nuk e ka parë të arsyeshme të vendosë gishtin në plagë dhe në takimin e parë me siguruesit nuk ka thënë asnjë fjalë lidhur me refuzimin e tyre për të respektuar paktin e arritur një vit më parë.