Ervin Mete është zyrtarisht drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Kuvendi i Shqipërisë votoi sot kandidaturën e paraqitur nga Këshilli i Ministrave, duke i dhënë fund një periudhme prej më shumë se tre muajsh kur AMF kishte ngelur pa drejtues ekzekutiv.
Afatet ligjore për qëndrimin në detyrë të ish-drejtorit Ervin Koçi përfunduan në 23 mars, ndërsa posti i zëvendësdrejtorit ekzekutiv është vakant prej gati një viti e gjysmë.
Ervin Mete deri më sot mbante detyrën e kryetarit të Bordit Drejtues, pozicion joekzekutiv dhe me kohë të pjesshme. Ai do të jetë i pari jurist që në drejtimin e AMF-së, që nga themelimi i këtij institucioni.
Para emërimit si drejtor ekzekutiv, Mete u shkarkua në njëtën seancë nga detyra e kryetarit të Bordit, sepse ligji nuk lejon që dy funksionet të mbahen nga i njëjti person. Si rrjedhojë, Bordi Drejtues i AMF praktikisht ngelet me të njëjtët anëtarë dhe me një numër të cunguar, vetëm tre. Tashmë posti i Kryetarit të Bordit dhe i zëvendësdrejtorit ekzekutiv janë vakantë.
Neglizhenca në emërimin e anëtarëve të organeve drejtuese të institucioneve të pavarura ka marrë përmasa shqetësuese vitet e fundit.
Në fund të vitit 2018, puna e Bankës së Shqipërisë u bllokua për gati dy muaj, sepse Këshilli Mbikëqyrës nuk kishte numrin e mjaftueshëm të anëtarëve për të marrë vendime.
Ndërkohë, pasi shkarkoi në fund të muajit dhjetor anëtarin e këshillit Mbikëqyrës, Arben Malaj, Kuvendi vetëm më datë 28 maj shpalli vendin vakant dhe nisi procedurat për zëvendësimin e tij.
Vetë Bordi i AMF-së nuk është i plotë që nga fillimi i vitit të kaluar, megjithatë së paku ka pasur kuorum të mjaftueshëm për të marrë vendime.