22 Prill

0 komente

Epidemia shtrëngon menjëherë kreditimin

Autor Ersuin Shehu

22 Prill, 2020

kryesore

Bankat shqiptare raportuan shtrëngim të standardeve e kreditimit në tremujorin e parë të vitit. Vrojtimi i aktivitetit kreditues, i Bankës së Shqipërisë, tregoi se standardet e kreditimit u shtrënguan për të gjithë segmentet e klientëve dhe pritet të shtrëngohen më tej në tremujorin e dytë të vitit.

Duke qenë se përgjigjet e bankave janë mbledhur në fillim të muajit prill, besohet se situata e krijuar nga epidemia e Covid 19 është reflektuar ndjeshëm në tablonë e tyre për aktivitetin kreditues.

Për individët, standardet e huadhënies janë shtrënguar si për kreditë për blerje banese, ashtu edhe për ato konsumatore. Shtrëngimi për individët u shkaktua nga perceptimi për rrezik të shtuar lidhur me situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të, si edhe aftësinë paguese të kredimarrësit.

Po ashtu, toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit. Për tremujorin e dytë, bankat presin që shtrëngimi i kredisë të jetë edhe më i fortë.

Mes bizneseve,shtrëngimi i standardeve të kreditimit ishte më i theksuar në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, si edhe në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve.

Sipas gjykimit të bankave, kushtet dhe termat e kreditimit u ndikuan negativisht nga perceptimi për rrezik të shtuar, nxitur prej situatës së paprecedentë të shkaktuar prej Covid-19.

Ashtu si për individët, shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset ishte rrjedhojë e perceptimit për një rrezik të shtuar lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit dhe me perspektivën e pritur të situatës ekonomike. Shtrëngimet u shprehën kryesisht në vlera më të ulëta huaje, kushtëzime më të larta në marrëveshjet e kredive, si edhe ulje të maturitetit maksimal .

Që nga mesi i vitit të kaluar, kredia për ekonominë ka shfaqur një ecuri mjaft pozitive. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli i kredisë në fund të muajit shkurt arriti vlerën e 579 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 7%. Kontributin më të madh në rritje muajt e fundit e ka dhënë rimëkëmbja e kredisë për biznesin, që gjatë shkurtit u rrit me rreth tetë miliardë lekë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Megjithatë, sprova e vërtetë për ekonominë shqiptare do të jetë epidemia e Covid 19, që pritet të shtrijë efektet edhe në ecurinë e kredisë për ekonominë. Ngadalësimi i ekonomisë do të frenojë kërkesën për kredi dhe do të shtrëngojë ofertën e bankave, siç dëshmoi menjëherë dhe ndoshta do të sjellë rritje të raportit të kredive me probleme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes