25 Gusht

0 komente

Eksportet e naftës në rritje, po i afrohen niveleve të vitit të kaluar

Autor editor

25 Gusht, 2020

kryesore

Eksportet e naftës po i afrohen gradualisht niveleve të një viti më parë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se për shtatëmujorin eksporti arriti në rreth 418 mijë tonë, nga 434 mijë tonë që kishte qenë për të njëjtën periudhë të vitit 2019. Megjithëse shifrat ngelen me një rënie të lehtë vjetore prej 3.7%, ato janë në përmirësim dhe gjatë korrikut eksportet arritën në mbi 75 mijë tonë, 10 mijë tonë më shumë krahasuar me korrikun e një viti më parë.

Burimi: Instat

Ndërkohë, në vlerë rënia ngelet e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, çka lidhet me rënien e fortë të çmimeve pas shpërthimit të pandemisë. Eksportet kishin vlerën e 13 miliardë lekëve, ndërsa një vit më parë kishin qenë 18.5 miliardë lekë.

Shifrat përfshijnë në masën dërrmuese eksportet e naftës bruto, por edhe eksportin ose rieksportin e nënprodukteve të rafinimit të naftës. Sektori i naftës ngelet një ndër degët më të rëndësishme të eksporteve shqiptare, me ndikim të konsiderueshëm në bilancin tregtar të vendit.

Tregu kryesor ku eksportohet nafta shqiptare është Spanja, e lidhur kjo me kontratat e shitjes së nxjerrësit më të madh të naftës bruto në vend, Bankers Petroleum. Vendet e tjera kanë peshë specifike më të ulët. Për sa i takon karburanteve të gatshme dhe produkteve finale që vijën nga rafinimi i naftës, ato eksportohen kryesisht në vendet fqinje të rajonit.

Në pjesën më të madhe, nafta bruto e nxjerrë në Shqipëri eksportohet, edhe për shkak të problemeve të vazhdueshme në funksionimin e rafinerisë kryesore në vend, asaj të Ballshit. Megjithatë, kjo rafineri pritet të rifillojë punën së shpejti dhe të thithë një pjesë të prodhimit vendas të naftës bruto.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes