Shqipëria është e mbyllur prej gati shtatë javësh. Pasi epidemia e COVID-19 shënoi rastin e parë, terrori se edhe te ne mund të ndodhte e njëjta gjë solli masa edhe më drastike se ato që u morën në Itali dhe në shumicën e vendeve të tjera. Në një moment të parë, kjo ishte e kuptueshme, për sa kohë përballja me koronavirusin që shkakton Covid 19 ishte një e panjohur e madhe dhe e frikshme.
Me kalimin e javëve, megjithatë, kuptuam se sëmundja tek ne, për fat të mirë, nuk po manifestohej me atë ashpërsi të shfaqur në Itali, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar apo Shtetet e Bashkuara.
Kjo nuk vlen vetëm për Shqipërinë, por për shumicën e vendeve të Europës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor. Hipotezat pse kjo ndodhi janë të ndryshme dhe shumë ekspertë mendojnë se kjo lidhet me sistemin e vaksinimit që kanë adoptuar vendet tona ndaj sëmundjeve të tjera infektive.
Kyeministri nuk lë rast pa thënë se kjo ndodhi falë masave të marra nga qeveria. Pjesërisht duhet të jetë e vërtetë të jetë vërtetë, por duke qenë dëshmitarë të këtyre gjashtë javëve mbyllje me shumë të ngjarë ky është në pjesën më të madhe një iluzion i madh. Këto javë kemi parë njerëz të dynden në tregje dhe markete; i kemi parë dhe po i shohim në grupe të mëdha në lagje, poshtë pallateve, madje edhe në tarraca.
Një pjesë e bizneseve me rrezik të lartë, si fasoneri apo call-center nuk u mbyllën. Pasojat dolën të qarta me shpërthimin e vatrave në Krujë dhe Kurbin.
Në tërësi, respektimi i masave ka qenë mëse i diskutueshëm. Këtë javë mësuam për një qytetar që nga Tirana ka infektuar prindërit në një fshat të Mirëditës apo një vajzë e re që nga Fushë-Kruja e ka çuar infeksionit edhe në Mat. Si ka ndodhur kjo, përdreisa daljet nga qytetet duhet të ishin të ndaluara?
Grumbullimet më të dëmshme dhe më të rrezikshme u shkaktuan nga mania e shtetrrethimit në fundjavë dhe nga oraret e kufizuara gjatë javës. Potencialisht, kjo e rriti rrezikun e përhapjes së infeksionit. Asnjë nga vendet që u goditën edhe më rëndë nga epidemia nuk ndërmori kufizime të këtij lloji, ndoshta me vetëdijen se ato mund të jetë të dëmshme dhe kundërproduktive.
Ajo që pengon përhapjen e infeksionit është ndërgjegjësimi dhe respektimi i masave të distancimit social; epideminë nuk e frenon mania absurde për t’i nxjerrë njerëzit nga shtëpia me orar.
Pavarësisht nga të gjitha, rritja e numrit të të infektuarve në Shqipëri prej javësh nuk ka qenë më shumë se 5-6% në ditë. Ndërkohë, numri i të trajtuarve në spital prej ditësh është më pak se 20% e numrit të të sëmurëve aktivë, rreth 40 në numër pacientësh.
Në këto kushte, gjithnjë e më shumë njerëzit po pyesin: a është e justifikuar mbajtja e kufizimeve kaq drastike dhe vazhdimi i terrorizimit të njerëzve me psikozën e frikës dhe të luftës? Për çdo mendje të ftohtë dhe racionale, sigurisht që jo.
Masat në vetvete dhe efekti që ato japin në shoqëri në radhë të parë po dëmtojnë rëndë ekonominë. Çdo ditë që kalon kjo përkthehet në një faturë miliona euro të ardhurash të munguara, që po rëndojnë bilancet e bizneseve, buxhetet e familjeve dhe atë të shtetit. Gjithë përpjekjet disavjeçare për uljen graduale të borxhit publik u rrëzuan dhe pritet që brenda këtij viti ai të rritet sipër nivelit të 70% të PBB-së, aty ku ishte për periudhën 2014-2017.
Çdo rritje e panevojshme e borxhit real, si përmes shpenzimeve, ashtu edhe përmes masave që frenojnë rritjen ekonomike, është një barrë afatgjatë për taksapaguesit shqiptarë, që, ose do të paguajnë më shumë taksa, ose do të marrin më pak shërbime publike.
FMN parashikon se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të ulet me 5% për vitin 2020. Çdo ditë mbyllje e panevojshme ose e tepruar vetëm sa e rëndon faturën që duhet të paguajmë nga kjo situatë.
Kjo situatë nuk mund të vazhdojë duke kopjuar si majmuni etapat e lirimit që po ndjekin vendet e tjera, që në fakt pësuan një epidemi shumë më tragjike se ne.
Menaxhimi i kësaj situatës evidenton sesa i sëmurë është ky vend në nivel politik, por edhe në nivel teknik. Nga njëra anë, Kryeministrit po i shijon kjo periudhë ekstaze pushteti absolut, kur ka pezulluar të drejtat dhe liritë kushtetuese të njerëzve. Shqipëria nuk është i vetmi vend ku epidemia ka sjellë një rast të artë liderëve autokratë për të sunduar në mënyrë absolute dhe arbitrare.
Të gjitha këto po bëhen duke u fshehur pas “ekspertëve” dhe “komiteteve teknike”; aftësitë e ekspertëve që ka Shqipëria për çështje të shëndetit publik nuk po i paragjykojmë a priori. Por, nëse ne po ecim përpara thjesht duke kopjuar modele hapjeje, më e pakta që mund të thuhet është se ekspertët kanë frikë të marrin përgjegjësi për të adoptuar masa të arsyeshme dhe proporcionale me përmasat e epidemisë.
Të gjithë e dinë se njerëzit nuk mund të mbyllen brenda pafundësisht: qëllimi i masave kufizuese në thelb është mbajtja nën kontroll e numrit të të sëmurëve që kanë nevojë për kujdes spitalor, për të mos e çuar sistemin në kolaps. Në kushtet kur jemi larg një skenari të tillë, këto masa ekstreme, që po i marrin frymën ekonomisë, shërbejnë vetëm për të kënaqur delirin e gjithëpushtetshmërisë së kryeministrit dhe për të mos nxjerrë ekspertët nga zona e tyre e konfortit, aty ku duhet marrja e vendimeve të guximshme.