Shkalla e duhanpirjes në Shqipëri është në rënie te burrat, por ngelet e qëndrueshme të gratë. Të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë përqindja e burrave që konsumojnë duhan ka rënë në 35%, nga 43% që kishte qenë rreth një dekadë më parë. Ndërkohë, mes grave duhanpirja ka shënuar një rritje të lehtë në 5%, nga 4% që kishte qenë në matjen e mëparshme të ISHP-së, rreth një dekadë më parë. Burrat ngelen konsumatorë më të mëdhenj të duhanit edhe në sasi. 23% e meshkujeve duhanpirës deklarojnë se konsumojnë më shumë se 25 cigare në ditë, ndërsa një sasi të tillë e konsumojnë vetëm 3% e grave duhanpirëse.
Grupmosha me shkallën më të lartë të duhanpirjes është 30-34 vjeç, në të cilën duhanin e pinë 44% e burrave dhe 7% e grave. Duhanpirja është një sjellje më e përhapur në zonat urbane, me 38% të burrave dhe 7% të grave, ndërsa në ato rurale duhanin e konsumojnë 32% e burrave dhe vetëm 2% e grave.
Të paktën për burrat, një faktor me ndikim të konsiderueshëm në duhanpirje duket se është edhe arsimi. Niveli i duhanpirjes është rreth 58% te meshkujt me arsim fillor, ndërsa bie në më pak se 31% për ata me arsim të lartë. Edhe për gratë shkalla më e lartë e duhapirjes është tek ato me arsim fillor, me 16%, por në tërësi lidhja me nivelin arsimor është më e dobët nga sa ndodh me burrat.
Përqindja më e lartë e burrave që konsumojnë duhan regjistrohet në qarkun e Vlorës, me 45% dhe në atë të Tiranës, me 42%; përqindja më e ulët shënohet në Korçë me 23% dhe në Kukës me 26%. Mes grave, shkalla duhanpirjes rritet me përmirësimin e të ardhurave dhe mirqenies familjare, por një tendencë e tillë nuk vërehet mes burrave. Niveli i duhanpirjes është një indikator i rëndësishëm i lidhur me shëndetin e popullatës, sepse duhani klasifikohet si faktor me ndikim të rëndësishëm në sëmundshmëri dhe në vdekshmëri. Ai është shkaktari kryesor i kancerit në mushkëri, ndërsa është factor i rëndësishëm rreziku edhe për disa lloje të tjera të tumoreve.
Për më tepër, duhanpirja është identifikuar si një nga shkaqet kryesore të sëmundejeve
kardiovaskulare, që zakonisht sjellin numrin më të madhe të vdekjeve në Shqipëri.
Të dhënat e duhanpirjes mbështeten në anketimin shëndetësor dhe demografik 2017-2018, të
kryer nga ISHP dhe Instat.