Domainet e regjistruara në Shqipëri arritën në pothuajse 23 mijë vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), gjatë vitit 2019 janë regjistruar afro pesë mijë domaine të reja në zonën “.al”. Megjithatë, duke llogaritur domainet që nuk janë rinovuar, rritja e numrit aktiv të tyre gjatë vitit të kaluar nuk ishte më shumë se 6%.
Liberalizimi i regjistrimit të domaineve në zonën “.al” ka sjellë edhe një degë të re biznesi për shoqëritë e sektorit të tekonologjisë së informacionit dhe komunikimit. Nëse dikur regjistrimi i domain ishte monopol i AKEP, tani kjo procedurë bëhet kryesisht nga kompani private. Në fund të vitit të kaluar, ishin dhjetë kompani të akredituara nga AKEP për ofrimin e këtij shërbimi.
Regjistrimi fillestar i një domaini bëhet për një periudhë pesëvjeçare, për të cilën çdo regjistrues parapaguan në AKEP një tarifë prej pesë mijë lekësh. Shërbimi i regjistrimit të domaineve mund të ofrohet nga çdo kompani e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke u akredituar më parë në AKEP. Regjistruesit paguajnë tarifë fikse prej 100 mijë lekësh në vit, si edhe një tarifë akreditimi prej 20 mijë lekësh, që paguhet vetëm një herë.