13 Janar

0 komente

Dializa, të ardhurat e koncesionit do të arrijnë në 21 milionë euro në 2022

Autor Ersuin Shehu

13 Janar, 2020


Ministria e Shëndetësisë parashikon një rritje të shpejtë të seancave të dializës për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e veshkave. Mbështetur në projeksionet e planit buxhetor afatmesëm, qeveria parashikon që në vitin 2022, numri i seancave të dializës të arrijë në 234 mijë, nga rreth 170 mijë që ishte në vitin 2019.

Rritja me 38% e seancave të dializës në harkun e tre viteve të ardhshëm do të sjellë rritjen e shpenzimeve buxhetore dhe njëkohësisht të arkëtimeve për kompaninë koncesionare DiaVita.

Që prej vitit 2015, kjo kompani ofron shërbimin e dializës për pacientët shqiptarë, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat me qeverinë shqiptare.

Duke pasur parasysh se çmimi i përcaktuar për çdo seancë dialize në kontratë është 11,200 lekë (afërsisht 90 euro), mund të llogaritet se në vitin 2022 të ardhurat e koncesionarit nga ofrimi i këtij shërbimi do të arrijnë në rreth 21 milionë euro.

Në bilancin e fundit të disponueshëm, atë të vitit 2018, kompania DiaVita raportoi një xhiro në vlerën e 643 milionë lekëve ose 5.2 milionë eurove. Mbështetur në projeksionet e qeverisë shqiptare, të ardhurat e këtij koncesionari nga shërbimi i dializës praktikisht do të katërfishohen deri në 2022.

Në shtator 2019, kompania DiaVita u ble nga kompania suedeze Diaverum International AB, që besohet se i përket Diaverum Group, sipërmarrje e specializuar në ofrimin e shërbimeve mjekësore për patologjitë e veshkave.

Sipas të dhënave nga faqja e internetit të kompanisë, Diaverum vepron në 20 shtete dhe iu shërben rreth 36 mijë pacientëve për shërbime të trajtimit të veshkave, që nga dializa e deri tek transplantet. Gjithnjë, sipas informacionit të kompanisë, aksioner i saj kontrollues është fondi i investimeve Bridgepoint.

Deri vitin e kaluar, aksioner i tërthortë kontrollues i DiaVita ishte Arimo, një kompani guackë e regjistruar në Hollandë, pas të cilës qëndronin aksionerë shqiptarë.

Duhet thënë, megjithatë, se edhe pas kalimit në pronësi të Diaverum International, njëri nga administratorët e shoqërisë DiaVita është një person i afërt i Klodian Allajbeut, drejtor i përgjithshëm i American Hospital. Sipas disa investigimeve mediatike, pikërisht Allajbeu ishte personi që qëndronte pas shoqërisë Arimo dhe kontrollonte koncesionin e dializës.

Kompania DiaVita u krijua në vitin 2015, me qëllim ofrimin me koncesion të shërbimit të dializës për pacientët shqiptarë. Mbështetur në projeksionet fillestare, DiaVita pritet të përfitojë gjithsej rreth 8.6 miliardë lekë në 10 vjet nga qeveria shqiptare.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes