19 Dhjetor

0 komente

Dështon shitja e Digitalb te Klodian Allajbeu; Frangaj shton pjesëmarrjen, blen aksionet e Samir Manes dhe Agim Zeqos.

Autor editor

19 Dhjetor, 2021

kryesore

Pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj, ka rritur pjesëmarrjen e tij në platformën më të madhe televiziove me pagesë, Digitalb. Frangaj, në emrin e bashkëshortes së tij, Alba Gina, ka blerë aksionet e zotëruara nga dy ortakët e tjerë në kompani, Samir Mane dhe Agim Zeqo, që mbanin secili 2.79% të aksioneve të kompanisë. Pas kësaj blerjeje, Aleksandër Frangaj do të zotërojë 7.75% të aksioneve të Digitalb. Zyrtarisht, Mane dhe Zeqo i shitën aksionet e tyre për një shumë prej 94 mijë eurosh secili.

Prej vitesh, kompania Digitalb ndodhet në një konflikt të hapur mes aksionerëve kryesorë, pasardhësve të thelemuesit Dritan Hoxha nga njëra anë dhe aksionerëve të tjerë, në krahun tjetër. Konflikti u ashpërsua pasi Vjollca Hoxha ndërpreu pagesat për likuijdimin e aksioneve ndaj disa ish-aksionerëve, duke prishur një marrëveshje mes palëve. Si përgjigje, Samir Mane, Agron dhe Armand Duka, Agim Zeqo dhe Aleksandër Frangaj rimorën aksionet e tyre në kompani. Kompania kaloi një periudhë nën adminstrim të përbashkët, me një përfaqësues ligjor për secilin “kamp”. Në vitin 2020, konfliktet u ashpërsuan, deri në bllokimin e pagave për punonjësit.

Si rrugëzgjidhje për konfliktet e brendshme, palët patën konsideruar mundësinë e shitjes së kompanisë. Gjatë vitit 2021, u zhvilluan negociata për shitjen e Digitalb te Klodian Allajbeu, personazh që ka zgjeruar ndikimin e tij në vitet e fundit në disa sektorë të ekonomisë, mes të tjerash edhe në media. Allajbeu hyri edhe në tregun mediatik në vitin 2019, duke blerë pikërisht nga Aleksandër Frangaj televizionin ABC News. Por, negociatat me Allajbeun dështuan, me sa duket për shkak të mosdakordësisë për çmimin. Situata mes palëve ngelet e nderë dhe Samir Mane e Agim Zeqo preferuan të dalin nga kompania, duke i shitur aksionet te Aleksandër Frangaj.

Sipas burimeve nga tregu, megjithatë grupi Balfin me shumë të ngjarë mund të hyjë në një investim të ri në sektorin mediatik. Ai pritet të blejë televizionin ekonomik Scan, që prej muajsh të tërë ishte nxjerrë në shitje nga aksionerët e tij. Përpjekjet për të gjetur një blerës kanë dështuar, por, së fundmi, burimet shprehen se TV Scan mund të blihet nga grupi Balfin, me ndërmjetësinë pikërisht të Aleksandër Frangajt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes