Kompanitë e sigurimeve kanë ulur vlerën e dëmeve të ngelura pezull gjatë tremujorit të tretë të vitit. Mbështetur në të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet pezull në sigurimet e jo-jetës kishin vlerën e 5.5 miliardë lekëve ose rreth 45 milionë eurove në fund të muajit shtator. Kjo shumë përfshin vlerën e dëmeve në proces vlerësimi, të dëmeve të miratuara, por të papaguara, si edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore.
Megjithëse kanë rënë me krahasuar me 6-mujorim, por edhe me të njëjtën periudhë të një viti më pare, dëmet pezull vazhdojnë të kenë një vlerë edhe më të madhe se dëmet e paguara, që për 9-mujorin e parë të vitit ishin rreth 4.3 miliardë lekë.
Numri i të siguruarve që presin të zhdëmtohen nga kompanitë e sigurimeve ka arritur në mbi 9 mijë. Nëse këto dëme do të miratoheshin dhe do të paguheshin të gjitha, vlera e dëmeve për 9-mujorin do të arrinte një shumë totale prej afro 10 miliardë lekësh.
Veç dëmeve të paguara direkt nga kompanitë, një pjesë më vete është ajo që i takon Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, që ka detyrë të zhdëmtojë viktimat e dëmeve nga mjete të pasiguruara ose me autorë të panjohur.
Vlera e dëmeve pezull të Byrosë në fund të muajit shtator ishte rreth 940 milionë lekë, në rënie të ndjeshme me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pas presionit që AMF po ushtron prej më shumë se dy vitesh, pagesa e dëmeve nga Fondi i Kompensimit është zhbllokuar dhe që nga fillimi i vitit 2017 janë paguar mbi dy miliardë lekë dëme. Megjithatë, vlera e dëmeve pezull ngelet e lartë dhe inspektimet periodike të kryera nga AMF pranë Byrosë së Sigurimeve edhe këtë vit kanë evidentuar vonesa dhe zvarritje të pajustifikuara të shlyerjes së këtyre dëmeve.