Credins Bank ka vijuar rritjen e kreditimit edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave periodike financiare, të paaudituara, të publikuara nga vetë banka, në fund të marsit portofoli i kredisë, në terma neto, ka arritur vlerën e 108.2 miliardë lekëve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, portofoli i kredisë është rritur me 10%. Credins Bank është huadhënësi kryesor i sektorit privat të ekonomisë.
Ashtu si për gjithë sistemin bankar, një pjesë e rritjes ka ardhur edhe nga mbiçmimi i përkohshëm të euros në kursin e këmbimit me lekun, në fund të muajit mars. Kjo ka rritur vlerën e portofolit në valutë, të konvertuar në lekë për qëllime raportimi.
Gjithashtu, bankat raporton një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së kredisë. Huatë me vonesë, në vlerë, janë pakësuar me pothuajse 29% krahasuar me marsin e vitit të kaluar.
Në tërësi, banka ka vijuar rritjen dhe totali i aktiveve është zgjeruar me 16% me bazë vjetore. Credins Banka është aktualisht banka e tretë më e madhe në vend.
Rritja e depozitave të publikut ngelet mbështetja kryesore për rritjen e Credins Bank. Në fund të marsit, totali i depozitave arriti vlerën e 203 miliardë lekëve, 17% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Fitimi neto i bankës për tremujorin e parë arriti në 275 milionë lekë, 184% më shumë krahasuar me tremujorin I 2019.
Për periudhën, Credins Bank raportoi një kthim nga kapitali në nivelin 6.96%.