2 Gusht

0 komente

Credins Bank ishte blerësi kryesor i letrave me vlerë në tregun me pakicë për 6-mujorin e parë

Autor Ersuin Shehu

2 Gusht, 2020

kryesore

Credins Bank është blerësi kryesor i letrave me vlerë të individëve në tregun dytësor. Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për gjysmën e parë të këtij viti Credins realizoi pothuajse 35% të blerjeve nga individët para afatit të maturimit.

Në total, vlera e titujve të blerë nga Credins Bank arriti në 479 milionë lekë. Për tremujorin e dytë të vitit ka kaluar edhe Raiffeisen që tradicionalisht është aktori më aktiv në tregun me pakicë të letrave të borxhit qeveritar.

Vitet e fundit, Credins Bank po zgjeron me ritme të shpejta investimet në letra me vlerë, duke e balancuar ndjeshëm strukturën e aseteve që historikisht ka qenë kryesisht e orientuar tek huatë për sektorin privat. Në mesin e këtij viti, Credins Bank zotëronte një portofol titujsh në vlerën e rreth 66 miliardë lekëve, në rritje me 111% krahasuar me një vit më parë.

Megjithëse blerjet në tregun me pakicë zënë një pjesë modeste kundrejt totalit të portofolit, tendenca për të zgjeruar investimin në tituj është reflektuar edhe në këtë segment.

Të dhënat e AMF-së tregojnë se në total, Raiffeisen ngelet subjekti më aktiv në tregun me pakicë të titujve, për një volum total prej pothuajse 1.9 miliardë lekësh për 6-mujorin 2020. Kjo shumë përbën pothuajse 60% të volumit total të tregtimit. Por, transaksionet e Raiffeisen konsistojnë kryesisht në shitje të letrave me vlerë të portofolit të vet tek individët.

Këto blerje mund të reflektojnë pjesërisht edhe një përfshirje të ulët financiare të individëve, sepse ata kanë mundësi të blejnë letra me vlerë të qeverisë direkt në tregun primar, qoftë me oferta konkurruese ose jo konkurruese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes