Credins Bank ka miratuar emetimin e radhës të obligacioneve me ofertë private. Në fillim të muajit shkurt, Asambleja e Aksionerëve vendosi t’iu shesë investitorëve privatë të përzgjedhur nga banka obligacione me vlerë përkatësisht 350 milionë lekë, 1.5 milionë euro dhe 1 milionë dollarë amerikanë.
Obligacionet do të kenë maturim shtatëvjeçar dhe mund të konvertohen në aksione të zakonshme të Credins Bank.
Credins Bank e aplikon emetimin e borxhit të varur në formën e obligacioneve private prej afërsisht tetë vjetësh. Sipas pasqyrave financiare të bankës, në fund të muajit shtator 2019 totali i obligacioneve kishte vlerën e afërsisht 6.4 miliardë lekëve.
Megjithatë, një pjesë e mbajtësve të këtyre obligacioneve kanë zgjedhur t’i konvertojnë ato në aksione gjatë muajve në vazhdim, në kuadrin e rritjes së kapitalit të bankës që u miratua në tetor 2019.
Eksperienca e Credins Bank po ndiqet edhe nga banka të tjera. Vitin e kaluar, edhe Fibank miratoi emetim të obligacioneve me ofertë private në vlerën e dy milionë eurove, ndërsa në fillim të këtij viti, edhe Union Bank shiti dy milionë euro obligacione të këtij lloji.
Obligacionet janë instrumente borxhi që iu mundësojnë bankave më shumë stabilitet në kohë, sepse, ndryshe nga depozitat, ato nuk mund të shlyhen para maturimit. Megjithatë, në rastin e Credins Bank dhe Union Bank ato janë emetuar kryesisht me qëllimin për t’i përdorur si kapital rregullator.
Mbështetur në rregulloren e Bankës së Shqipërisë “Për kapitalin rregullator”, borxhi i varur njihet si kapital rregullator i nivelit të dytë. Ai mund të përdoret si pjesë e kapitalit rregullator për një vlerë deri në masën 33.3% të kapitalit të nivelit të parë.
Për blerësit, këto obligacione sigurojnë përfitime të kënaqshme në raport me normat aktuale të interesit në treg. Për shembull, në emetimin e radhës Credins Bank do të paguajë një kupon prej 5% për obligacionet në lekë, 3% për ato në euro dhe 3.5% për instrumentet në dollarë amerikanë.
Ndërkohë, Union Bank ka paguar një kupon prej 3.2% për obligacionet me maturim 3-vjeçar.
Deri më sot, këta tituj janë emetuar me ofertë private, çka do të thotë se ato i ofrohen klientëve të zgjedhur nga vetë emetuesi apo ndërmjetësi financiar. Por, rritja e numrit të kompanive që përdorin këto instrumente tregon se tregu financiar shqiptar po hedh hapat e para drejt zhvillimit të një tregu të kapitalit.
Hapja e bursës shqiptare të titujve ALSE për tregtimin e titujve të subjekteve private do të hapë mundësi të reja për emetimin dhe tregtimin e obligacioneve të shoqërive tregtare.