26 Korrik

0 komente

Credins Bank do ta përdorë fitimin e vitit 2019 për rritje kapitali

Autor Ersuin Shehu

26 Korrik, 2020

kryesore

Credins Bank do ta përdorë fitimin e vitit 2019 për të rritur kapitalin aksioner. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi neto i Credins për vitin e kaluar ishte rreth 1 miliardë lekë.

Kjo shumë do t’i shtohet kapitalit të nënshkruar të bankës, që në fund të tremujorit të parë 2020 ishte 9.6 miliardë lekë. Duke përfshirë edhe instrumentet e tjera, në total kapitali aksioner i bankës në mars ishte 17 miliardë lekë, ndërsa kapitali rregullator rreth 19.2 miliardë lekë.

Vendimi për të zmadhuar kapitalin e bankës është lëvizje që i paraprin një periudhe sfiduese për sektorin bankar. Në muajin shtator, do të shfuqizohen masat e përkohshme rregullatore që i çlironin bankat nga detyrimi për të provigjionuar dhe riklasifikuar kreditë.

Mbyllja e moratoriumit pritet të sjellë gradualisht rritje të raportit të kredive me probleme, sepse kriza e lidhur me epideminë e Covid-19 vlerësohet të ketë cënuar ndjeshëm aftësinë paguese të shumë sipërmarrjeve dhe familjeve. Askush nuk mund të thotë me siguri se sa domethënëse do të jetë rritja e kredive me probleme, por pasiguria në ekonomi ngelet e lartë. Pritet që Prodhimi i Brendshëm Bruto të bjerë me të paktën 6% për këtë vit.

Pas shpërthimit të krizës së lidhur me Covid-19, Banka e Shqipërisë iu ndaloi bankave tregtare shpërndarjen e fitimeve të mbajtura në bilanc, përfshi edhe ato që do të realizohen gjatë këtij viti. Ky vendim ka si qëllim ruajtjen e kapitalizimit të sistemit, që para shpërthimit të krizës ishte në nivele mjaft të larta.

Në fund të muajit mars raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 19.1%; sipas të dhënave paraprake gjatë tremujorit të dytë ky tregues ka pësuar një rënie të lehtë, por ngelet ende në intervalin me 18% dhe 19%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes