Credins Bank po avancon me projektin për të hyrë në tregun kosovar. Pasi mori miratimin paraprak nga Banka Qendrore e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, tashmë Banka Credins Kosovë sh.a. është regjistruar si shoqëri tregtare dhe ka nisur ngritjen e strukturave.
Në krye të filialit të Kosovës është emëruar Selman Lamaj, drejtor i Divizionit të Zhvillimit të Biznesit në Credins Bank.
Banka Credins Kosovë do të ketë një kapital fillestar prej 8 milionë eurosh. Sipas njoftimit për licencimin paraprak nga Banka Qendrore e Kosovës, Credins parashikon të ofrojë një gamë të gjerë të shërbimeve bankare bashkëkohore, me kushte konkurruese.
Hyrja në Kosovë është një ambicie e hershme e Credins Bank, që më në fund pritet të materializohet gjatë këtij viti. Për të mbështetur projektin në Kosovë dhe rritjen e mëtejshme në tregun shqiptar, Credins Bank miratoi në tetor të vitit të kaluar edhe një rritje kapitali prej 24 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2019 Credins Bank zotëronte asete totale në vlerën prej 221 miliardë lekësh dhe është banka e tretë më e madhe në vend, me 14.8% të tregut sipas totalit të aktiveve.
Credins është njëkohësisht edhe banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare. Portofoli neto i kredisë në fund të vitit 2019 arriti në afro 103 miliardë lekë ose sa 18.6% të portofolit të kredisë së dhënë nga bankat tregtare shqiptare.